Australia vazhdon përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër Coronavirusit

Australia vazhdon përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër Coronavirusit

Australia do të vazhdojë përdorimin e vaksinës AstraZeneca, njoftoi rregullatori i barnave të vendit, transmeton Insajderi.

Administrata e Mallrave Terapeutike (TGA) theksoi në një deklaratë se “nuk ka pranuar asnjë raport të mpiksjes së gjakut pas marrjes së vaksinës AstraZeneca COVID-19 në Australi”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne këshillojmë që njerëzit në Australi duhet të vazhdojnë të marrin vaksinën AstraZeneca”, tha agjencia.

Përdorimi i vaksinës AstraZeneca u pezullua në disa vende evropiane për shkak të raporteve se shkakton mpiksje të gjakut.

Agjencitë globale, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë(OBSH), kundërshtuan vendimin, duke thënë që vaksina është e sigurt dhe përfitimet e saj janë më të mëdha se rreziqet.

Pas një rishikimi nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), Italia, Franca dhe Spanja kanë njoftuar se do të rinisin dhënien e vaksinave AstraZeneca.

“TGA vazhdon të monitorojë nga afër sigurinë e vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19 dhe do të punojë me AstraZeneca për të përditësuar Informacionin e Produktit siç kërkohet. Nëse zbulojmë shqetësime të sigurisë, ne do të ndërmarrim veprime të shpejta për t’i adresuar ato dhe menjëherë do të informojmë publikun”, theksohet në deklaratë.

Rregullatori australian theksoi gjetjet e rishikimeve paraprake nga EMA dhe Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore të Britanisë së Madhe (MHRA).

“Këto rishikime kanë zbuluar se përfitimet e vaksinës vazhdojnë të tejkalojnë rreziqet dhe se vaksina nuk shoqërohet me një rritje të rrezikut të përgjithshëm të mpiksjes së gjakut”, theksoet në deklaratë. /Insajderi.com