Skiatori austriak, Marcel Hirscher, është shpallur sot kampion bote në sllallom, pasi në ditën e fundit të garave të kupës së botës në ski, të mbajtur në St. Moritz të Zvicrës ai zuri vendin e parë, raporton AA.
Pas fitores në sllallomin e madh, Hirsher triumfoi edhe në garën e sotme në sllallom duke dalë i pari në të dyja garat, para austriakut Manuel Feller, nga i cili ishte më i mirë për 68 të qindtat e sekondës.
Në podiumin e rezervuar për më të mirët u ngjit edhe skiatori gjerman Felix Neureuther i cili fitoi medaljen e bronztë me një mbetje prapa Hirscherit për 93 të qindtat e sekondës.
Fituesi i pesë garave të sivjetme në sllallom, norvegjezi Henrik Kristoffersen u rendit në vendin e katërt, me 11 të qindtat mbetje prapa gjermanit Neureuther.
I dyti dhe i treti nga gara e parë, Marc Schrarz dhe Michael Matt nuk i mbijetuan presionit të madh në garën e dytë, duke përfunduar në vendin e shtatë dhe të tetë, duke prishur planet e austriakëve për një podium mbarë austriak.