Babai dhe nëna e Nora dhe Akil Gjakovës mes emocionesh flasin për suksesin e fëmijëve të tyre

Babai dhe nëna e Nora dhe Akil Gjakovës mes emocionesh flasin për suksesin e fëmijëve të tyre

Babai dhe nëna e Nora dhe Akil Gjakovës, Luani dhe Elvana në një intervistë dhënë RTV Dukagjini, kanë folur për suksesin e fëmijëve të tyre në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, shkruan Insajderi.

Nora arriti të fitoi medaljen e dytë të artë për Kosovën në këto gara, pas asaj të Distria Krasniqit.

Nëna e dy xhudistëve, Norës dhe Akilit, Elvana Gjakova ka thënë se nuk ka mundur të flejë gjatë natës, duke pritur me emocione përballjet e fëmijëve të saj.

“Jo, gjithë natën kemi qëndruar zgjuar, duke pritur Akilin, më pas edhe Norën. Medalja e Norës na ka gëzuar shumë, Akili u rendit i shtati, natyrisht se nuk është pak”, është shprehur nëna e dy xhudistëve.

“Norës i është realizuar ëndrra e saj, është pa fjalë si çdo herë dhe ia ka arritur të fitojë. I kam përcjell të gjitha përballjet e Norës, më kanë pëlqyer shumë”, ka përfunduar ajo.

Nga ana tjetër, babai Luani, ka thënë se ai ka një gëzim të veçantë, të cilin nuk mund ta shpreh me fjalë për suksesin e fëmijëve të tij.

“Është një ndjenjë e veçantë, një gëzim që nuk munda ta shpreh, nuk kemi prit këtë fitore. Nora ka qenë e lënduar, ka pas operacione, por është rikthyer e fortë. Në olimpiadën e kaluar ka shkuar me lëndim dhe i është dashtë që të tërhiqet, por me angazhimin e saj dhe me mundin ia ka dalë”, ka thënë babai i dy xhudistëve.

“Ne kemi edhe vajzën e vogël që stërvit xhudo dhe tani kemi tre fëmijë që janë në xhudo. Akili ka pas kndërshtarë më të vështirë, mirëpo do ta ketë kohë e tij dhe në të ardhmen do të triumfojë”, ka shtuar më tej ai.

Kosova aktualisht numëron tri medalje olimpike të arta, pasi në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, Majlinda Kelmendi kishte fituar të artën./Insajderi.com