Rivalë, Gareth Bale dhe Neymar padiskutim që janë. Jo vetëm sepse secili prej tyre zhvillohet te njëri nga dy rivalët e përbetuar të La Liga-s, Real Madrid dhe Barcelona.
Dy lojtarët mbërritën në kampionatin elitar spanjoll në 2013-ën për shifra astronomike: 101 milionë euro për Bale te Real Madrid, 95 milionë euro për Neymar te Barcelona.
Që atëherë ata janë krahasuar pa pushim nga shtypi iberik. Një situatë e cila, 4 vjet më pas, është bërë e padurueshme për uellsianin.
Në shifra, madrileni dhe katalanasi janë krahasuar që në vitin e parë në La Liga. Sezonin e kaluar braziliani ka kaluar dukshëm në avantazh, ai ka luajtur mesatarisht 71% të minutave, kundrejt 56% të britanikut.
Ky i fundit, duhet përmendur, nuk u kursye nga dëmtimet. Për sa i takon golave, sërish Neymar është në avantazh të konsiderueshëm, shkruan Telesport.
Ai ka shënuar 105 gola që nga 2013-a kundrejt 67 të Bale. Një shifër jo në lartësinë e një lojtari që u ble aq shtrenjtë. Madje muajt e fundit në kryeqytetin e Spanjës përflitet se në rast të mbërritjes së Kylian Mbappe në “Shtëpinë e Bardhë” këtë verë, i humburi i parë do të jetë Gareth Bale.