Në kuadër të javës së 33-të në Superligë, Ballkani është mposhtur në shtëpi nga Arbëria e shifrat 2:3, njofton Insajderi.
Se mysafirët kishin udhëtuar në Suharekë për fitore, e dëshmon edhe goli i hershëm i realizuar prej tyre, ku pas vetëm shtatë minutash lojë, Arbëria shënoi me Bahtirin. Mirëpo, vendasit nuk u demoralizuan, teksa barazuan rezultatin një minutë para se ekipet të shkonin në pushimin mes dy pjesëve. Autor i golit ishte Shala. Me rezultat 1:1 u mbyll fraksioni i parë i ndeshjes.
Me të filluar pjesa e dytë, Bahtiri shënoi përsëri, duke rikthyer rezultatin për mysafirët, me golin e dytë personal në takim. Por, miqtë nuk u ndalën me kaq, pasi në minutën e 67-të, Llugiqi shënoi golin e tretë për Arbërinë, duke çuar shifrat në 1:3.
E tëra që arritën të bënin nikoqirët deri në fund të takimit, ishte të ngushtonin rezultatin me anë të Hoxhës, tre minuta para mbylljes së takimit.
Me këto tre pikë, Arbëria ngjitet në vendin e tetë në kuotën e 36 pikëve, dy pikë larg zonës së rrezikshme, ndërsa Ballkani, me këtë disfatë ka bërë një hap mbrapa në luftën për titull, pasi ka ngelur pesë pikë mbrapa liderit Prishtinës dhe dy më pak se Drita e vendit të dytë. /Insajderi.com