Skuadra e Ballkanit ka shënuar fitore në derbi duke e mposhtur kampionen e këtij stinori, Prishtinën, njofton Insajderi.
Por fitorja e suharekasve me rezultat 2-5 në Prishtinë ka qenë e pamjaftueshme për të siguruar një vend në Evropë, pasi që rivali tjetër në këtë luftë, Drita, ishte e pagabueshme në xhiron e fundit.
Ndeshja filloi me ritëm të shpejtë dhe me gol të hershëm të shënuar nga top golashënuesi, Mirlind Daku, që në minutën e tretë.
I njëjti shënoi përsëri në minutën 15’ për rezultatin 0-2, duke arritur në gjithsej 31 gola të shënuara këtë stinor.
Më pas Prishtina u kundërpërgjigj me dy gola nëpërmjet Besnik Krasniqit (27’) nga penalltia dhe Endrit Krasniqit (36’), për të përfunduar pjesa e parë me rezultat të barabartë 2-2.
Në pjesën e dytë Ballkani i ndezi përsëri motorët dhe shënoi tri herë nëpërmjet Arbër Hoxhës që shënoi dy herë (70’ 77’) dhe Blend Baftiut (88’) që përcaktoi rezultatin përfundimtar.
Prishtina pavarësisht humbjes në fund festoi edhe zyrtarisht titullin kampion, kurse fitorja për Ballkanin kishte kuptimin e vetëm tri pikëve të rëndomta dhe asgjë më shumë, pasi që kampionatin e përfundoi në pozitën e tretë, pas Prishtinës dhe Dritës. /Insajderi.com