Ballkani kthehet me pikë të plota nga transferta në Skenderaj

Ballkani kthehet me pikë të plota nga transferta në Skenderaj

Në ndeshjen e fundit të javës së 14-të në Superligën e Kosovës në futboll, Ballkani nga Suhareka, ka fituar pikë të plota në transfertën e Skenderaj, duke mposhtur Drenicën me rezultat 1:2, njofton Insajderi.

Pjesa e parë e takimit i takoi plotësisht mysafirëve, të cilët gjatë 45’ minutave të parë, realizuan dy herë.

Pas vetëm tre minutash lojë, Ballkani kaloi në epërsi me Ermal Krasniqin, teksa në minutën e 29-të, dyfishoi rezultatin top golashënuesi i Superligës, Mirlind Daku. Ky ishte goli i 19-të kampional për Dakun. Me rezultat 0:2 për miqtë u mbyll fraksioni i parë i takimit.

Pjesa e dytë e takimit, ishte më e balancuar, pasi skuadra e Munishit nuk dëshironte të shpenzonte më shumë energji, ndërsa nikoqirët kërkonin së paku të shënonin golin e nderit në ndeshje.

Një minutë para fundit të ndeshjes, skuadra e Devollit ngushtoi epërsinë më anë të mbrojtësit Azem Bejtës, pas një dalje jo të menduar mirë të gardianit suharekas. Kështu, epilogu final i takimit të zhvilluar në “Bajram Aliu”, Drenica 1:2 Ballkani.

Pas këtyre tre pikëve, Ballkani përforcon pozitën e parë me 32 pikë, ndërsa Drenica pas kësaj disfate mbetet në vendin e pestë me 18 pikë. /Insajderi.com