Ballkani mposhtet me përmbysje nga Trepça ‘89

Ballkani mposhtet me përmbysje nga Trepça ‘89

Ndeshje shumë interesante ishte ajo e zhvilluar në Mitrovicë, mes skuadrës së Trepçës ’89 dhe mysafirëve nga Suhareka, ekipit të Ballkanit, ku u shënuan plot shtatë gola, ndërsa në fund fitorja i buzëqeshi skuadrës nikoqire dhe atë me përmbysje, njofton Insajderi.

Pas 30’ minutash lojë, Ballkani gjeti portën me anë të Nazmi Gripshit, kështu me rezultat minimal për mysafirët u mbyll pjesa e parë.

Me të filluar pjesa e dytë, Ballkani realizoi golin e dytë me Ermal Krasniqin, ndërsa për golin e tretë për mysafirët, u përkujdes golashënuesi më i mirë në Superligë, Mirlind Daku, duke shënuar në minutën e 54’ të takimit. Kjo ishte e gjitha çfarë mund të bënin mysafirët, pasi nga minuta e 65’ e deri në fund, loja totalisht do t’i takonte skuadrës vendase duke shënuar plot katër herë në portën e suharekasëve.

Fillimisht në minutën e 65’ shënoi Bissmark, pastaj në minutë e 74’ shënoi Rilind Nimani pasi u asistua nga Bissmark. Dhjetë minuta para fundit të ndeshjes, “xehetarët” barazuan rezultatin, përsëri shënoi Bissmark, ndërsa në minutat shtesë (93’), sulmuesi Bissamrk arriti kë shënoj golin e tretë personal në takim dhe të katërtin për Trepçën ’89, duke bërë një kthim të çmendur në rezultat.

Me këtë fitore të çmendur, Trepça ’89 shkon në kuotën e 11 pikëve dhe ndodhet në vendin e gjashtë në tabelë, ndërsa Ballkani edhe përkundër humbjes nuk lëvizë nga pozita e liderit në Superligë. /Insajderi.com