Baneri racist kundër shqiptarëve, Partizani i Beogradit: UEFA na dha leje

Baneri racist kundër shqiptarëve, Partizani i Beogradit: UEFA na dha leje

Trajneri i skuadrës së Partizanit të Beogradit, Miroslav Djukiç, i është gëzuar fitores së djeshme. Pas ndeshjes, ai ka falënderuar edhe tifozët e tij, duke u shprehur se ishin lojtari i 12-të në fushën e lojës. Ai ka përshëndetur faktin që ultrasit e grupimit “Grobari” nuk kanë krijuar asnjë incident gjatë takimit.

“Mund të them se ishte një ndeshje që u vendos nga episodet, pasi Skënderbeu është skuadër e fortë. Goli i parë që shënuam nga një goditje standarde, na i bëri gjërat edhe më të lehta. Dua të falënderoj grupimin ‘Grobari’, që ishin lojtari ynë i 12-të në këtë sfidë. Mendoj se thirrjet ‘Kosova është Serbi’, nuk ishin një shqetësim për zhvillimin normal të ndeshjes”, ka thënë trajneri duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.

Ndërkohë, zëdhënësja për mediat e Partizanit të Beogradit ka zbuluar edhe tratativat me UEFA-n në lidhje banderolat e tifozëve.

“Kemi qenë në një kontakt të vazhdueshëm me UEFA-n dhe jemi informuar se, e ndaluar nga tifozët tanë ka qenë vetëm fjala ‘shqiptar’. Edhe për banerin që tifozët tanë kanë vendosur në shkallët e stadiumit, kemi marrë paraprakisht leje”, ka deklaruar Biljana Obradoviç.

Ditët e fundit i gjithë stafi, lojtarët dhe drejtuesit e Partizanit të Beogradit, kanë kërkuar nga tifozët e tyre që në shkallët e stadiumit të mos krijohen probleme, pasi dënimi i UEFA-s do të ishte shumë i rëndë./Panoramasport.