Banka Botërore do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën

Banka Botërore do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën

Ministrja e Financave, Hikmete Bajrami, ka zhvilluar një diskutim në distancë me përfaqësues të Bankës Botërore, njofton Insajderi.

Është biseduar për projektet aktuale të Bankës Botërore në Kosovë si dhe për projektet e reja që pritet të realizohen në tri vitet e ardhshme.

Ministrja Bajrami i njoftoi përfaqësuesit e BB-së me punën e Ministrisë së Financave rreth menaxhimit të financave publike, realizimit të projekteve qeveritare, si dhe rreth politikave të Qeverisë së Kosovës për rigjallërimin e ekonomisë.

Ajo falënderoi ata për bashkëpunimin e deritashëm në projekte të shumta të cilat “kanë kontribuar në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë”.

Nga ana e tij, Massimiliano Paolucci, nga Banka Botërore theksoi se BB-ja do të vazhdojë përkushtimin e saj për të mbështetur Kosovën në projekte të rëndësishme që fuqizojnë ekonominë dhe kontribuojnë në zhvillimin e gjithmbarshëm të Republikës së Kosovës.

Palët u pajtuan që të intensifikojnë bashkëpunimin bilateral me qëllim të realizimit të suksesshëm të projekteve zhvillimore aktuale dhe përgatitjes së atyre vijuese./Insajderi.com