Banka Botërore jep “alarmin” për PPP-të: Po shtohen shumë, duhet të forcohet menaxhimi

Banka Botërore jep “alarmin” për PPP-të: Po shtohen shumë, duhet të forcohet menaxhimi

Pas FMN-së dhe Komisionit Europian, edhe Banka Botërore ka paralajmëruar për rreziqet fiskale të koncesioneve të formës së Partneritetit Publik-Privat (PPP) dhe ka kërkuar forcimin e menaxhimit të tyre, për të cilën ajo është angazhuar praktikisht edhe vetë.

“Shqipëria ka një portofol të konsiderueshëm prej 200 PPP-sh. Ky portofol në rritje shoqërohet me problemin e risqeve të mundshme fiskale, që rrjedhin nga kontratat e PPP-ve. Prandaj, është jetike që Shqipëria të vijojë ta forcojë kuadrin e menaxhimit të PPP-ve, gjë që do të trajtonte si risqet fiskale, ashtu edhe sigurimin e maksimizimit të vlerës. Qeveria e Shqipërisë, me asistencë të Bankës Botërore, ka projektuar një kuadër të ri për monitorimin e PPP-ve”, thotë Banka Botërore në një shënim në faqen e saj në Facebook, ku ka vendosur dhe linkun e një blogu të autorëve, David Duarte, Lorena Meco dhe Christoph Ungerer, i cili flet për monitorimin efektiv të PPP-ve.

“Shqipëria ka ndër boshllëqet më të mëdha të infrastrukturës në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, borxhi i lartë publik dhe kapaciteti i kufizuar i menaxhimit të projekteve në sektorin publik kanë krijuar një nevojë për të parë përtej mjeteve tradicionale për t’i ofruar shoqërisë infrastrukturën e nevojshme. Në dy dekadat e fundit, qeveritë shqiptare kanë përdorur gjithnjë e më shumë PPP-të si mënyra më e mundshme për ndërtimin e rrugëve, infrastrukturës energjetike, spitaleve, shkollave etj.

PPP ofrojnë shumë përfitime, duke përfshirë tërheqjen e financave dhe ekspertizën e sektorit privat, ndërkohë që kanë dhe rreziqe. Aktualisht, Shqipëria ka një portofol prej mbi 200 PPP, 186 në energji, ndërsa pjesa tjetër në transport, shëndetësi, mjedis dhe bujqësi. Ky portofol paraqet investime që tejkalojnë 30% të PBB-së gjysma e të cilave është investimi i drejtpërdrejtë i huaj në sektorin e energjisë.

Në një kontekst të hapësirës së kufizuar fiskale dhe një rregulli që kufizon stokun e angazhimeve fiskale të PPP në 5% të të ardhurave tatimore të qeverisë, PPP kanë shumë përfitime duke përfshirë alokimin e rrezikut për palën që ka më shumë ekspertizë për ta përballuar trajtuar atë. Megjithatë, rritja e portofolit të PPP në Shqipëri ka shtuar problemet potenciale fiskale nga kontratat e PPP. Prandaj, është e domosdoshme që Shqipëria të vazhdojë të forcojë kornizën e saj të menaxhimit të PPP. Objektivi i një kuadri të fuqishëm të monitorimit dhe zbulimit të PPP-ve është, pikërisht, për të adresuar rreziqet fiskale dhe për të siguruar vlerë për para”.

Si rrjedhojë, siç bëhet e ditur nga blogu, qeveria shqiptare, me asistencën e Bankës Botërore ka hartuar një kuadër monitorimi domethënës për PPP-të, duke nisur nga 2019-a. Duke filluar me buxhetin 2019, autoritetet kontraktuese në të gjithë qeverinë duhet të dorëzojnë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë informata të rregullta dhe sistematike mbi ecurinë aktuale dhe të pritshme të PPP-ve të tyre. Analiza e riskut të PPP pason kuadrin e përcaktuar nga Banka Botërore-FMN, Modeli i Vlerësimit të Riskut Fiskal PPP (PFRAM).

Ministria e Financave dhe Ekonomisë do t’i përdorë këto informacione për të publikuar një raport vjetor të detajuar mbi ecurinë e PPP-ve të Shqipërisë. Ky raport do të përshkruajë jo vetëm performancën e përgjithshme të portofolit, por do të bëjë analiza të thella në performancën e projekteve më strategjike të infrastrukturës, duke përfshirë efikasitetin e tyre në ofrimin e shërbimeve, si dhe çdo rrezik potencial, thuhet në blog.