Barcelona pranë dyshes Coutinho-Dembele

Barcelona pranë dyshes Coutinho-Dembele

Ndoshta e mendoi si një mënyrë për të ngushëlluar tifozët e Barcelonës pas humbjes së radhës ndaj Realit apo ndoshta mendoi se negociatat janë në fazë përfundimtare për të shpallur dy blerje të mëdha.

Skuadra katalanase, që ishte vetëm një hije e historisë së saj të madhe në “Klasiken” ndaj Realit, doli publikisht hapur mbi dy objektivat e kësaj merkatoje, Coutinho dhe Dembele. Pep Segura, drejtori sportiv i Barcelonës në një intervistë për Esport 3 pas disfatës në stadiumin Bernabeu zbuloi dhe disa detaje.

“Skuadra jonë ka nevojë për përforcime dhe ne do të bëjmë pikërisht këtë në ditët në vijim. Po diskutojmë kushtet finale për Coutinho dhe Dembele. Sigurisht, ata nuk kanë firmosur ende, por jemi shumë pranë”, tha Pep Segura.

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde e kishte paralajmëruar bordin drejtues se largimi i Neymar do të prishte ekuilibrat e katalanasve. Por, mbetet për tu parë nëse braziliani i Liverpulit dhe francezi i Borusias së Dortmundit do të rikthejnë qetësinë.

Të dy lojtarët pritet t’i kushtojnë Barcelonës rreth 200 milionë euro, një çmim që mund të ishte më i ulët, por jo i mundur për ekipin blaugrana, që duhet të blejë dhe duhet ta bëjë këtë gjë shpejt.