Ishte paralajmëruar dhe ndodhi. Marc-Andre ter Stegen përfundimisht do të firmosë kontratën e re me Barcelonën.
Me nënshkrimin e radhës portieri gjerman do të jetë i lidhur deri në vitin 2020 me klubin katalanas, siç njoftohet në sajtin zyrtar të nënkampionëve të Spanjës.
Ish-numri 1 i Borussia M’Gladbach-ut është kthyer në një element të rëndësishëm në “Camp Nou”, kështu që rinovimi duhej të ndodhte para nisjes së merkatos së verës, shkruan telesport.al.
“Barcelona njofton se ka arritur një marrëveshje të re me portierin Marc-Andre ter Stegen për rinovimin e kontratës së tij deri më 30 qershor 2020. Klauzola e tij e largimit është vendosur 180 milionë euro. Kontrata e re do të firmoset nesër, 30 maj, ora 13:30, në zyrat e klubit”, njoftohet në komunikatën zyrtare të katalanasve.
Ter Stegen jo pak herë e ka ndëshkuar skuadrën me gafat e tij, por në muajt e fundit ka treguar një qëndrueshmëri të pamohueshme.