Grupi i fuqive më të rëndësishme ekonomike botërore G7 dhe Bashkimi Evropian(BE) lëshuan një njoftim të përbashkët me të cilin dënuan grusht shtetin në Mianmar dhe i bënë thirrje ushtrisë që të lirojë të gjithë që “padrejtësisht u arrestuan”, transmeton Insajderi.
“Ne, ministrat e punëve të jashtme të G7, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, jemi unik në dënimin e grusht shtetit në Mianmar”, theksohet në deklaratën e përbashkët, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrat e jashtëm kritikuan arrestimin e udhëheqësve politikë dhe aktivistëve të shoqërisë civile, duke përfshirë Këshilltaren e Shtetit, Aung San Suu Kyi dhe presidentin Win Myint dhe po ashtu shprehën shqetësim rreth veprimeve të ushtrisë kundër medias.
“I bëjmë thirrje ushtrisë që menjëherë t’i jap fund gjendjes së jashtëzakonshme, të rivendosë pushtetin në qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, t’i lirojë të gjithë të arrestuarit padrejtësisht dhe të respektojë të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit duhet të respektohen dhe parlamenti duhet të mblidhet sa më të shpejtë”, theksohet në deklaratë.
Ministrat e jashtëm gjithashtu rikujtuan komunikatën e tyre të vitit 2019, në të cilën ata ritheksuan angazhimin e tyre për tranzicionin demokratik të Mianmarit, paqen dhe llogaridhënien për shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut.
“Ne qëndrojmë me qytetarët e Mianmarit që dëshirojnë të shohin një të ardhme demokratike”, theksuan ministrat.
Ushtria e Mianmarit, e njohur zyrtarisht si Tatmadaw, të hënën shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, disa orë pasi arrestoi udhëheqësen de fakto të vendit Suu Kyi dhe anëtarët e tjerë të lartë të partisë në pushtet Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).
Grusht shteti ndodhi disa orë para seancës së parë të parlamentit të ri ku ishte planifikuar të mblidhej pas zgjedhjeve nëntorin e kaluar në të cilat partia NLD e Suu Kyi korri fitore të mëdha.
Ushtria pretendoi që grusht shteti ndodhi për shkak të “mashtrimit të zgjedhjeve”, e cila tha se rezultoi në dominimin e NLD-së në parlament. /Insjderi.com