Batatina pas trofeut të Superkupës: Objektivi është që të bëhemi kampion

Batatina pas trofeut të Superkupës: Objektivi është që të bëhemi kampion

Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina arriti që të mposhtë kampionin e Kosovës, Prishtinën me rezultat 3-1 në kuadër të Superkupës së Kosovës, shkruan Shqip.com.

Pas këtij trofeu, Batatina tani synon titullin kampion, trofe të cilin ende Llapi nuk e ka fituar.

Këtë gjë e ka konfirmuar vetë trajneri i llapjanëve në një prononcim për lajmi.net.

“Organizimi i skuadrës mjafton që të tregojë se ne do luftojmë për daljen në Evropë, do luftojmë për pozitat e para, asnjëherë nuk dihet kush do bëhet kampion, që është trofeu i vetëm që s’ka ardhur në Podujevë dhe ai është titulli i kampionit”.

“Prioritet është të dalim në Evropë, por asesi nuk do tërhiqemi nga objektivi që të bëhemi kampion. Llapi ka një skuadër solide, që është e komponuar mirë me djem të mirë, organizuar. Prurjet e reja, rikthimi i Alidemës dhe Maliqit janë të qëlluara dhe mendoj që lojtarët e kanë bërë ekipin më konkurrent në kampionat”.

Tutje, Batatina theksoi se Llapi është ndër skuadrat që qëndron financiarisht shumë mirë, e cila edhe është një ndër arsyet pse kanë fituar këto dy trofe.

“Ne do të bëjmë më të mirën që të luftojmë për trofe, për titull, por qëllimi ynë është të shkojmë nga ndeshja në ndeshje, të mos ngutemi, kampionati është i gjatë, jemi skuadër solide, stabile, skuadër e cila ka organizim të mirë përveç financave që besoj që janë më të mirat në Superligën e Kosovës, pra më korrekt dhe kjo ka bërë që Llapi të rikthejë trofetë në Podujevë”.

Trajneri i Llapit gjithashtu foli edhe për rivalët, ku pohoi se i sheh Dritën, Ballkanin, Prishtinën dhe Gjilanin si kandidatë.

“Nuk do jetë e lehtë, e dimë që kemi skuadrat si Drita, Ballkani, Prishtina, Gjilani të cilat janë pretendent kryesorë, bashkërisht Llapi. Kjo tregon që nuk dihet kush do bëhet kampion me vetë faktin se janë skuadra të fuqishme dhe mendoj që nuk do ketë shumë diferencë mes katër skuadrave të para”, përfundoi Batatina.

Ndeshjet e para të Superligës së Kosovës për edicionin 2021/22 nisin këtë fundjavë./Insajderi.com