Bayern ofron 100 milionë euro për Sanchez

Bayern ofron 100 milionë euro për Sanchez

Futbolli gjerman është rritur shumë në vitet e fundit, si në nivel kombëtareje ashtu edhe kampioni i Bundesliga. Kjo është për meritë të një pune madhështore të bëra me ekipet e moshave, por tani ka ardhur momenti të hidhet një tjetër hap, me investime madhore.

Bayern Munich në katër vitet e fundit është eliminuar tre herë në gjysmëfinalet e Champions League dhe një herë në çerekfinale.

Asgjë dramatike, e thënë në këtë mënyrë, por në këtë klub objektivi është titulli kampion i Europës dhe për ta bërë diçka të tillë duhet rritur niveli. Për të qenë në garë me klubet më të mëdha të Europës, si Bayern, ashtu edhe skuadrat e tjera të Gjermanisë, kanë filluar të ofrojnë shifra mbresëlënëse.

Sipas asaj që ka shkruar një nga gazetat më të besueshme në Gjermani, “Kicker” , bavarezët kanë ofruar 25 milionë euro në vit për Alexis Sanchez për ta bindur të largohet nga Arsenal dhe mos pranojë ofertat e City, United apo Chelsea.

Një pagë e tillë do të përbënte rekord absolut në Bundesligë, nëse kiliani thotë “po”. Aktualisht futbollisti më i paguar te Bayern është Lewandowski me 15 milionë euro në sezon.

Sanchez është i domosdoshëm për Bayern, pasi mund të luajë në çdo rol të sulmit duke i ndarë minutat me Lewandowski, Robben dhe Ribery për të ruajtur freskinë gjatë gjithë sezonit. Megjithatë, Wenger deklaroi javën e kaluar se nuk kishte ndërmend ta shiste Sanchez, edhe në rast se e humbet me kosto zero në qershor 2018.

Në këto kushte, Bayern rrit presionin mbi futbollistin me një pagë, e cila nuk është parë kurrë në historinë e futbollit gjerman. Nëse Sanchez firmos për 4 vjet, ashtu si pritet të ndodhë, do të marrë 100 milionë euro. Uli Hoeness, presidenti i Bayern, pranoi për “Kicker”, se ka mbetur pa fjalë nga shifrat që ka dëgjuar kohët e fundit, shkruan Telesport.

“Problemi është se po lëvizim në një merkato ku shpenzohen shifrat të cilat nuk ka kishin shkuar kurrë ndërmend, megjithatë klubi ynë ka një buxhet prej më shumë se 600 milionë eurosh dhe kjo tregon se mund të marrë cilin futbollist të konsiderojë të rëndësishëm për të fituar trofe,” – tha ai.

Megjithatë nuk mund të shpenzojë vetëm Bayern, sepse Real e Barça kanë qenë gjithmonë në të tilla nivele, ku po afrohen edhe ekipet italiane, ndërsa Premier League ka kohë që i përket një planeti tjetër. Sivjet, ashtu si ndodhi edhe vitin e kaluar, mendohet se do të vendoset rekordi i paràve të shpenzuara për transferimin e futbollistëve.