Bayern Munich ka konfirmuar se kur do të largohet trajneri Jupp Heynckes nga klubi.
Heynckes u emërua në rolin e trajnerit deri në fundin e sezonit, pas shkarkimit të Carlo Ancelottit në muajin tetor, kurse presidenti i klubit Uli Hoeness, së fundmi deklaroi se qëndrimi i tij te klubi mund të zgjatet, shkruan Insajderi
Por, trajneri 72-vjeçar insiston se nuk ka për qëllim të jetë edhe për sezonin e ardhshëm në drejtim të klubit nga Bundesliga.
Shefi ekzekutiv i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge, ka pranuar këtë vendim të Heynckesit, duke konfirmuar edhe datën kur do të jetë dita e tij e fundit te klubi.
Heynckes, duke iu përgjigjur Hoenessit, tha se Bayerni nuk do të ketë problem të gjejë një trajner të përhershëm që ta zëvendësojë atë në fundin e sezonit, dhe Rummenige është i gatshëm ta pranojë largimin e trajnerit veteran.
“Jupp e deklaroi këtë, atëherë kështu do të ndodhë”, tha Rummenigge para gazetarëve.
“Se Jupp ka vendosur t’i qëndrojë besnik marrëveshjes [të largohet në fundin e sezonit], kjo është në rregull. Ai dje më pyeti pse Hoeness tha ashtu për të, dhe unë i thash të njëjtën gjë. Çdo gjë është në rregull”, përfundoi ai.
Heynckess e drejtoi Bayernin drejt tripletës në sezonin 2012-13, ku klubi bavarez arriti të fitojë Bundesligan, DFB-Pokal dhe Ligën e Kampionëve.
Ndeshja e fundit e tij me bavarezët do të jetë më 12 maj të vitit të ardhshëm, në “Allianz Arena” ndaj VFB Stuttgartit.
Bayern Munich aktualisht kryeson si lider në Bundesligë, me 29 pikë pas 13 xhirove të luajtura. /Insajderi