Dorëheqja e kryeministrit rus Dimitriy Medvedev dhe e qeverisë së tij ndodhi në mënyrë të befasishme, pasi presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi ndryshimet kushtetuese të cilat mund ta zgjasin sundimin e tij edhe pasi që do të detyrohet të tërhiqet nga pozita e presidentit në fund të mandatit të tij më 2024, janë vlerësimet e mediave botërore.
Dorëheqja e papritur e Medvedevit e shqetësoi elitën politike ruse dhe nxiti spekulimet se Putini po manovron në mënyrë që të mbetet në pushtet edhe kur i përfundon mandati në vitin 2024.
Për momentin nuk është e qartë se a janë dorëheqjet shenjë e plasaritjes në hierarkinë ruse apo pjesë e planit të koordinuar por ende të paqartë të Putinit që të mbetet në pushtet dhe ta ndryshojë sistemin politik i cili ende ekziston me ndryshime të vogla prej fillimit të viteve të nëntëdhjeta, shkruan “The New York Times” dhe thekson se në Rusi tashmë me muaj po spekulohet se Putini do të shpikë ndonjë manovër për ta zgjatur sundimin e tij.
Derisa politikanët opozitar siç është ish kryeministri Mihail Kasyanov, i cili është tani një kritik i ashpër i Putinit, kanë vlerësuar se Putin ka dhënë përgjigje të qartë se do të mbetet përgjithmonë president, analisti politik Alexandar Baunov ka pretenduar se funksioni i presidentit do të jetë shumë më i dobët kur Putin nuk do të jetë më president.
Të tjerët vlerësojnë se Putin po përpiqet ta zbulojë një sistem të ngjashëm sikur në Kazakistan ku presidenti shumëvjeçar Nursultan Nazarbayev vitin e kaluar u tërhoq nga pozita e presidentit, por e mbajti kontrollin si “lider i popullit”.
Derisa disa analistë thonë se tranzicioni tashmë ka filluar dhe se Putini nuk dëshiron më të jetë në fokus por të sundojë nga hija, të tjerët vlerësojnë se Putini po kujdeset të mos mbetet tepër gjatë në pushtet dhe dëshiron ta sigurojë trashëgimtarin e tij derisa është gjallë, shkruan “The Wall Street Journal”.
Nga ana tjetër, shton gazeta, ekzistojnë vlerësimet se ndoshta Medvedev është shkarkuar, pasi si i ngarkuar për politikë ekonomike ishte mjaft i jo popullarizuar, derisa Putini, në kohën kur e nisë tranzicionin politik, do të ketë nevojë për një person të besuar.
Medvedev, i cili aq shpesh ishte i dobishëm për Putnin, aktualisht po duket se është një “dash për kurban”, pretendon BBC. Dorëheqja e Medvedevit dhe e gjithë qeverisë ishte befasi e madhe dhe duket se as ministrat nuk e kanë ditur që do të japin dorëheqjen./Insajderi.com.