Një video është publikuar nga momentet e vrasjes së Gaddafit, ku shihen pamje ekskluzive të vitit 2011
Në këto pamje poashtu shihet edhe një grup njerëzish të armatosur që po festonin, derisa mënyra e festës së tyre duket interesante, raporton BBC.
Ata kishin marrë nën kontroll edhe armën e artë të kolonelit (Gaddafit) e cila u mbajt lartë si simbol i fitores. Personat e këtij grupi shihen duke ia kaluar njëri tjetrit këtë armë.
Por, gazetari i BBC-së, ka udhëtuar edhe njëherë në Libi, për ta gjetur personin që e ka nën kontroll këtë armë edhe pas 4 viteve, raporton Insajderi.
“Këta njerëz janë ushtarë rebel nga Misrata. Col Gaddafi në ato momente ishte kapur dhe vrarë. Në fotografi shihen ata duke ia kaluar njëri tjetrit revolen e artë- simbolin e fitores”, shprehet gazetari Gabriel Gatehouse.
Por, gjatë këtij rrugëtimi për të gjetur sërish armën e artë të ish-kolonelit Gaddafi, ai përballet me një video që nuk ishte parë më herët në publik.
Ai gjatë vizitës së fundit takohet me njërin prej ushtarëve të rebelëve i cili kishte marrë pjesë në aksionin për kapjen dhe vrasjen e Gaddafit dhe ky i fundit ia tregon gazetarit një video të paparë ndonjëherë.
Më pastaj gazetari kërkon nga njerëzit që ta identifikojnë personin me një kapelë dhe me një bluzë të kaltër në fotografi dhe njëri prej tyre i tregon që bëhet fjalë për personin me emrin Mohammed Elbibi.
“Njëri prej njerëzve aty më ndihmoi që ta identifikoja atë dhe më tregoi që bëhet fjalë për Mohammed Elbibin. Unë u takova me të dhe kështu e gjeta edhe pistoletën e artë”, shprehet Gatehouse.
Gazetari po ashtu shihet në një fotografi duke mbajtur armën të prodhuar veçanërisht për ish-kolonelin e Libisë, Muammar Gaddafin. Në një mbishkrim në armë shkruhet “Prodhuar në Belgjikë”./Insajderi.com