BE-ja kërkon qasje të menjëhershme në vaksinat “AstraZeneca”, në mënyrë që të fillojë shpërndarja e tyre

BE-ja kërkon qasje të menjëhershme në vaksinat “AstraZeneca”, në mënyrë që të fillojë shpërndarja e tyre

Bashkimi Evropian ka kërkuar qasje të menjëhershme në vaksinat kundër COVID-19 të kompanisë “AstraZeneca” që prodhohen në Britani të Madhe, teksa po e vazhdon betejën ligjore për shpërndarjen e menjëhershme të tyre nëpër vendet e bllokut, transmeton Insajderi.

Kërkesa e BE-së për qasje në vaksinat e prodhuara në Britani pritet që t’i përkeqësojë marrëdhëniet me Londrën në lidhje me shpërndarjen e vaksinave. “AstraZeneca” ka dështuar në jetësimin e shpërndarjes së vaksinave në Britani dhe në BE, duke e prolonguar fushatën e imunizimit në Evropë.

BE-ja ka akuzuar kompaninë për mosrespektim të obligimeve të parapara në kontratë teksa “AstraZeneca” është arsyetuar se ka përmbushur plotësisht marrëveshjen. Brukseli zyrtar i ka kërkuar kompanisë që shpërndarjen e vaksinave ta nisë në fund të qershorit dhe që t’i vërë në përdorim të gjitha fabrikat e prodhimit të listuara në kontratë.

Përplasjet mes dy palëve kanë nisur në fillim të vitit 2021, kur kompania nuk e realizoi shpërndarjen në BE të dozave të parapara me kontratë, në atë që e ka lënë BE-në prapa Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara në procesin e vaksinimit. Kompania ka njoftuar se deri në fund të qershorit planifikon që të shpërndajë 100 milionë vaksina në Evropë, e jo 300 milionë ashtu siç kishte paraparë në kontratën e nënshkruar me Bashkimin Evropian. /Insajderi.com