BE-ja pajtohet për mandatin e negociatave për një marrëveshje tregtare pas BREXIT-it

BE-ja pajtohet për mandatin e negociatave për një marrëveshje tregtare pas BREXIT-it

Franca dhe Irlanda u kthyen në ofensivë mbi detyrimet e Britanisë së Madhe në marrëveshjen tregtare pas BREXIT-it, duke i dhënë vrull luftës me fjalë që rrezikon të pengojë nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian javën e ardhshme.

Përfaqësuesit nga Parisi dhe Dublini në Bruskel paralajmëruan kryeministrin britanik Boris Johnson se Evropa nuk do të përulet mbi kërkesat thelbësore, përfshirë respektimin e rregullave të BE-së.

“Mandati është mbrojtja e interesave të evropianëve”, tha ministrja franceze për Evropën, Ameile de Montchalin, që këmbënguli se Brukseli nuk do të pajtohet për asgjë nëse nuk sigurohet konkurrenca e drejtë.

Për Irlandën, është njësoj e rëndësishme që Johnson të mbajë premtimet që bëri në marrëveshjen e divorcit, për të parandaluar rikthimin e kontrolleve doganore në kufirin me Irlandën.

“Nëse nuk ka progres në infrastrukturën ku do zbatohet protokolli irlandez në marrëveshjen e divorcit, atëherë nuk mendoj se do ketë marrëveshje deri në fund të vitit”, tha ministri i Jashtëm irlandez, Simon Coveney.

Pasi 27 vendet anëtare përshtatin zyrtarisht mandatin e tyre, Britania e Madhe pritet të prezantojë të vetin më vonë gjatë javës, përpara se të nisin negociatat të hënën e ardhshme.

Të dy palët kanë kohë deri në fund të vitit për të arritur një marrëveshje, përndryshe, Britania e Madhe do të duhet të tregtojë me Evropën sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Në anën tjetër, Johnson ka thënë se preferon të largohet nga marrëveshja se sa të luajë sipas rregullave të Bashkimit Evropian.