BE këtë muaj prezanton pasaportën e vaksinës për COVID-19

BE këtë muaj prezanton pasaportën e vaksinës për COVID-19

Bashkimi Evropian pritet të paraqesë këtë muaj projekt-ligjin për të krijuar të ashtuquajturën “pasaportë vaksinimi”, transmeton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila njofton se projektligji do të pasohet nga të paktën tre muaj punë teknike.

Kjo pasaportë do të quhet Digital Green Pass (Pasaportë Digjitale Jeshile), dhe përfshin detaje të tilla si nëse personi është vaksinuar, rezultatet e mëparshme të testit COVID-19 si dhe deklaratat mjekësore.

Digital Green Pass ”duhet të lehtësojë jetën e europianëve”, deklaroi von der Leyen.

”Qëllimi është që t’u mundësojë atyre që në mënyrë graduale të lëvizin të sigurt brenda Bashkimit Europian ose jashtë për punë ose turizëm”, ka thënë ajo.

Pasaporta e vaksinës do të bazohet në lirinë e lëvizjes brenda territorit të BE-së.

”Ne po punojmë drejt lehtësimit të lëvizjes së sigurt dhe të lirë në Bashkimin Evropian, jo duke e kufizuar atë”, tha zëdhënës i Komisionit Europian, Eric Mamer.

”Në mënyrë që të ecim përpara, KE do të ketë nevojë që vendet anëtare të veprojnë shpejt, veçanërisht në lidhje me sistemet e IT dhe ndërlidhjet’”, shtoi ai. /Insajderi.com