BE kundërshton vendimin e Erdoganit për rivotim në Stamboll

BE kundërshton vendimin e Erdoganit për rivotim në Stamboll

Bashkimi Evropian dhe disa nga shtetet kryesore të këtij blloku e kanë kritikuar ashpër vendimin e bordit të zgjedhjeve në Turqi për përsëritje të zgjedhjeve lokale në Stamboll pasi ato fillimisht i fitoi një parti opozitare.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka kërkuar nga bordi i zgjedhjeve në Turqi që pa vonesë ta sqarojë vendimin kundërthënës për rivotim në qytetin më të madh të Turqisë.

Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Mass, e ka cilësuar këtë vendim si të pakuptueshëm.

Vendimi është kritikuar edhe nga qeveria franceze dhe eurodeputeti Guy Verhofstadt, i cili tha se Turqia po shkon drejt diktaturës.

Ndaj vendimit për përsëritje të zgjedhjeve në Stamboll ka reaguar edhe shefja e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Federica Mogherini. “Organizimi i një procesi zgjedhor të lirë, të drejtë dhe transparent është jetik për secilin vend demokratik dhe ky është thelbi i marrëdhënieve të Bashkimit Evropian me Turqinë”, tha ajo.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit Erdogan i humbi zgjedhjet në Stamboll muajin e kaluar me një rezultat të ngushtë, por presidenti refuzoi ta pranonte humbjen. Partia e tij bëri ankesa, duke thënë se në zgjedhje ka pasur parregullsi dhe krim të organizuar.

Në anën tjetër, kandidati që u shpall fitues në zgjedhjet e prillit, Ekrem Imamoglu, tha se vendimi i bordit zgjedhor është i pabesë. Ai i akuzoi autoritetet për dorëzim përballë presionit të Erdoganit, shkruan “BBC”.