Bashkimi Evropian ka vendosur të hënën sanksione ndaj katër zyrtarëve të lartë kinezë, të akuzuar për abuzime ndaj myslimanëve ujgurë në rajonin veriperëndimor të Xinjiang, transmeton Insajderi.
Këto sanksione janë vendosur pavarësisht paralajmërimeve që Pekini mund të hakmerret, raporton ‘Associated Press’.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e pasurive të tyre në BE dhe ndalimin e udhëtimit të tyre në bllok. Ndërkaq, qytetarët dhe ndërmarrjet evropiane nuk lejohen t’u sigurojnë atyre ndihmë financiare.
Kina në fillim mohoi ekzistencën e kampeve për ndalimin e ujgurëve në Xinjiang, por që prej asaj kohe i ka përshkruar ato si qendra për të ofruar trajnime për punë dhe për të riedukuar ata që janë të ekspozuar ndaj mendimit radikal xhihadist.
Zyrtarët mohojnë të gjitha akuzat për abuzime të të drejtave të njeriut atje.
Javën e kaluar, ambasadori i Kinës në BE, Zhang Ming, paralajmëroi që Pekini do të hakmerret.
“Ne duam dialog, jo konfrontim. Ne kërkojmë që pala e BE të mendojë dy herë. Nëse disa insistojnë në përballje, ne nuk do të tërhiqemi, pasi nuk kemi mundësi tjetër përveç përmbushjes së përgjegjësive tona ndaj njerëzve në vendin tonë, “tha ai.
Sistemi i ri i sanksionimit të BE-së është i ngjashëm me Aktin Magnitsky – legjislacioni i epokës së Obamës që autorizon qeverinë e SHBA të sanksionojë ata që i sheh si shkelës të të drejtave të njeriut, të ngrijë pasuritë e tyre dhe t’u ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara.
Ministrat e jashtëm të BE, si pjesë e lëvizjes së të hënës, vendosën gjithashtu sanksione mbi shtypjen në Korenë e Veriut, “vrasje pa gjyq dhe zhdukje të detyrueshme në Libi, tortura dhe shtypje kundër personave LGBTI dhe kundërshtarëve politikë në Çeçeni, dhe tortura dhe vrasjet në Sudanin e Jugut dhe Eritrea”, thuhet në një deklaratë. /Insajderi.com