Benatia, përfundimisht lojtar i Juventusit

Benatia, përfundimisht lojtar i Juventusit

Ishte diçka e paralajmëruar. Medhi Benatia është përfundimisht një lojtar i Juventusit. Qendërmbrojtësi maroken këtë sezon u huazua nga Bayern në Torino dhe, pasi ka arritur të bindë drejtuesit e klubit bardhezi, ka fituar një kontratë që e mban te “Zonja e vjetër” deri në vitin 2020.

“Juventus komunikon se ka përdorur të drejtën e opsionit të blerjes përfundimtare të të drejtave të prezantimit sportiv të futbollistit Medhi El Mouttaqui-Benatia nga Bayern për 17 milionë euro, të paguara në dy këste. Juventus gjithashtu ka firmosur një kontratë me lojtarin deri më 30 qershor 2020”, – njoftojnë kampionët e Italisë.

“Jam i lumtur t’ju njoftoj se Juventus ka vendosur të më blejë. Do të jem bardhezi për tre vite të tjera”, – thotë Benatia për sajtin zyrtar të bardhezinjve. “Që kur kam ardhur, gjithmonë kam shprehur dëshirën për të qëndruar te Juventus. Shpresoj që e ardhmja jonë të jetë e mbushur plot me suksese”, – shton ai, njofton telesport.

Përveç 17 milionë eurove, Bayern ka përfituar edhe 3 milionë euro të tjera për huazimin 1-vjeçar të 30-vjeçarit. Pra, gjithsej, ky operacion italianëve u ka kushtuar 20 milionë euro. Numri 2 i Bayern-it, Karl-Heinz Rummenigge, e falenderoi Benatian për dy vitet e suksesshme në Mynih dhe i uroi më të mirat për finalen e Champions League me Real Madrid-in më 3 qershor.