Berisha: Anglezët kanë ekip të fortë, Sterling dhe Kane rreziku kryesor i tyre

Berisha: Anglezët kanë ekip të fortë, Sterling dhe Kane rreziku kryesor i tyre

Etrit Berisha ka folur në konferencën për shtyp përpara ndeshjes që Shqipëria do të zhvillojë kundër Anglisë. Kapiteni i Kombëtares shqiptare është shprehur se te ‘kuqezinjtë’ nuk duhet të mendojnë për elementet e caktuara të Anglisë, por për gjithë ekipin e tyre. Kur flitet për dëmtimin e Kumbullës, Berisha është i sigurt se mbrojtësi i Romës do të zëvendësohet në mënyrën më të mirë, njofton Insajderi.

“Anglia është ekip shumë i fortë dhe nëse i merr kualitetet e lojtarëve, i fiton të gjitha ndeshjet. Mungesa e Kumbullës? Ka lojtarë të tjerë që mund ta bëjnë këtë punë shumë mirë, jam i sigurt për këtë. Ata janë ekip shumë i mirë, por presioni nuk është aq i lartë sa në ndeshjet e tjera që janë rivali ynë direkt”, tha fillimisht gardiani ‘kuqezi’.

“Ne do të mundohemi që t’ia vështirësojmë punën Anglisë dhe të marrim një rezultat pozitiv. Nëse do të ndodhte, do të kishim më shumë besim te vetja dhe do ta kemi rrugëtimin më të lehtë. Nuk duhet të merremi vetëm me një lojtar të kundërshtarit se të gjithë futbollistët e tyre luajnë në kampionatet më të forta në botë. Por padyshim që nëse do të veçoja, rreziku më i madh vjen nga Sterling dhe Kane”, tha Berisha. /Insajderi.com