Berisha nga Italia: Vështirë se kampionati rifillon, këtë gjendje s’do doja ta shikonit

Berisha nga Italia: Vështirë se kampionati rifillon, këtë gjendje s’do doja ta shikonit

Portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, ndodhet i izoluar prej disa javësh në Itali, për shkak të pandemisë së Koronavirusit.

Në një prononcim në “skype” nga shtëpia, për emisionin “Sport Total”, gardiani shqiptar u ka bërë apel të gjithë shqiptarëve që të qëndrojnë në shtëpi, pasi kjo e vetmja mënyrë që pandemia të kalojë.

“Situata është e vështirë. Në Itali futbolli edhe pse është shumë i rëndësishëm, ka kaluar në plan të dytë. Jemi duke pritur dhe shpresuar që gjendja të bëhet më e mirë dhe numri i viktimave dhe të prekurve të ulet. E gjithë Italia është e prekur nga Koronavirusi, por jemi pak më me fat, sepse në qyteti ku jetoj unë nuk ka shumë të prekur dhe viktima. Ende nuk ka viktima në qytet. Jemi pak më të qetë se në zonat e tjera.

Si çdo pandemi edhe kjo do kalojë. Që kjo të kalojë duhet të japim kontribut të gjithë, duke qëndruar në shtëpi dhe duke zbatuar udhëzimet që na thonë. Gjëja më e mirë për ta kaluar është të qëndrojmë në shtëpi, edhe pse është monotoni, është e vetmja mënyrë, sepse mënyrë tjetër nuk ka.

E thashë që izolimi mund të jetë ndoshta një monotoni, mirëpo është e mënyra e vetme për të kaluar këtë gjë. Është mënyra më e mirë për t’u kujdesur për familjarët tanë. Këtu në Itali është një gjendje që nuk do të dëshironit as ta dëgjonit dhe as ta shikonit”, deklaroi Etrit Berisha.