Berisha: Nuk e meritoi fitoren Maqedonia e Veriut, nuk ishin më të mirë se ne

Berisha: Nuk e meritoi fitoren Maqedonia e Veriut, nuk ishin më të mirë se ne

Pas ndeshjes gjysmëfinale të Kosovës kundër Maqedonisë së Veriut, ka folur edhe kapiteni i Kosovës në këtë takim, Valon Berisha, njofton Insajderi.

Berisha ka mbetur i zhgënjyer me rezultatin, ndërsa ka thënë se maqedonët nuk e merituan fitoren, pasi sipas tij, ata nuk ishin më të mirë se “Dardanët”.

“Filluam shumë mirë, morëm një gol, që mundet me ndodh në futboll, u kthyem në lojë, treguam agresivitet, Florenti shënoi një gol të mirë, pastaj një faull që nuk na u deshtë, por ndodh, është dashur të mbrohemi më mirë”, tha Berisha për mikrofonat e “Super Sport” pas takimit.

“Është e dhimbshme, nuk përshkruhet kjo dhimbje, çdo lojtarë, të gjithë tifozët, gjithë shqiptarët që na kanë mbështetur”, ishin fjalët e Berishës.

Pastaj Berisha bëri edhe krahasimin mes ndeshjes së mbrëmshme dhe asaj të fazës së grupeve kundër Çekisë, duke thënë “është dashur të krijojmë raste për të fituar lojën, kemi dhënë maksimumin, të mësojmë nga ky rast. Keq që nuk mësuam nga ndeshja me Çekinë, kur kishim rastin të kualifikoheshim drejtpërdrejt”.

Në fund të prononcimit, Berisha foli për kundërshtarët e tyre, “e ndjej veten keq, ka qenë një ëndërr e madhe, katër vjet kemi qenë bashkë, maqedonët nuk ishin më të mirë se ne, nuk është se e merituan”, tha ndër të tjera ish mesfushori i Lazios. /Insajderi.com