Berluskoni: Me pëlqen gruaja e Trumpit

Berluskoni: Me pëlqen gruaja e Trumpit

Ish-kryeministri italian, Silvio Berluskoni, i njohur për komentet thumbuese mbi femrat, i habiti të gjithë të premten, duke thënë se ajo që pëlqen më shumë rreth Presidentit amerikan, Donald Trump, është bashkëshortja e tij, Melanie.

Berlusconi, 4 herë kryeministër i Italisë, është rikthyer në qendër të vëmendjes politike falë ringjalljes së fushatës së tij politike, me anë të së cilës shpreson të ringjallë edhe fatin e tij politik.

Duke folur në një debat, Berluskoni u pyet nëse ishte i kënaqur me krahasimin që i është bërë me presidentin amerikan, Donald Trump.

“Nuk më bën të ndihem edhe aq mirë”, u shpreh miliarderi italian. “Por sa i përket Trump, si shumë burra dhe gra mund të them vetëm se më pëlqen Melania, për bukurinë, sharmin dhe stilin e saj”, ka shtuar ai.

Vlen të theksohet se ish-kryeministri ka qenë i përfshirë në disa afera seksuale, të cilat janë shndërruar edhe në skandale të mëdha politike.