Bersant Celina privilegjohet dhe ngarkohet me presion tek Twente

 Talenti i përfaqësueses së Kosovës, Bersant Celina pritet të luajë një rol të rëndësishëm në sezonin 2016/17 tek skuadra e tij e re, Twente Enschede.

Bersant Celina privilegjohet dhe ngarkohet me presion tek Twente

Skuadra holandeze ka vendosur që t’ia besoj 19-vjeçarit kosovar edhe numrin 10 në fanellë, pasi shihet zëvendësuesi ideal i ish-futbollistit të Twentes, Hachim Ziyech, i cili kaloi tek Ajaxi në ditën e fundit të afatit kalimtar për rreth 12 milionë euro, raporton Insajderi.

Ky veprim – dhënia e fanellës me numrin 10 – i ish-kampionit të Holandës tregon besim ndaj talentit me origjinë nga Prizreni, mirëpo edhe e ngarkon atë me presion. Ai do mbajë në shpinë numrin 10 dhe barrën e të zëvendësuarit të një futbollisti që ishte një nga shitjet më të shtrenjta të klubit në histori.

Numri 10, i cili i është caktuar atij, është zyrtarizuar nga klubi holandez sot përmes një njoftimi në rrjetin social Twitter.

twi

 

Ziyech ka shënuar dy gola dhe asistuar një herë në katër ndeshjet e para të këtij sezoni në “Eredivisie”, para se të kompletonte transferimin tek gjiganti holandez, Ajax.

Celina nuk pritet të jetë vetëm një futbollist që kërkon hapësirë për të zhvilluar sa më shumë minuta në skuadrën holandeze, ai duhet të dëshmojë që meriton numrin 10 në skuadër.

19-vjeçari është një mesfushor me aftësi natyrale dhe teknikë e vizion të mirë të lojës, ai është huazuar tek Twente para rreth dy javësh nga skuadra e njohur angleze Manchester City, e cila e ka në pronësi 19-vjeçarin.

Kosovari momentalisht është në grumbullim me përfaqësuesen e Kosovës, të cilët po zhvillojnë përgatitjet e fundit para takimit historik ndaj Finlandës. /Insajderi.com