Ndeshja tjetër e ditës së martë në Superligën e Kosovës në futboll, pas asaj Drenica – Arbëria, ishte ajo e zhvilluar në Pejë, mes Besës dhe Llapit, ndeshje që u mbyll në barazim, por me katër gola të shënuar, njofton Insajderi.
Edhe pse pas pjesës së parë, Llapi kishte avantazhin e dy golave, skuadra nga Podujeva nuk arriti ta ruante deri në fund rezultatin dhe të shënonte fitoren e parë në kampionat, pasi pejanët barazuan rezultatin në pjesën e dytë.
Në minutën e 20’ të takimit, Engjëll Hoti shënoi për epërsinë e parë të Llapit, gjersa në minutën e 30’ të takimit, do të dyfishohej rezultati me Arbnor Ramadanin. Me epërsi prej dy golash për llapjanët u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, do t’u ikte nga duart fitorja e parë kampionale e ekipit të Tahir Batatinës, me dy golat e shënuar nga pejanët.
Së pari rezultatin e ngushtoi Festim Haxhiu në minutën e 73’ të takimit, ndërsa goli i barazimit erdhi në minutën e shtatë shtesë, duke zhgënjyer komplet kampin llapjan.
Pas shtatë gjirosh, skuadrat mbesin në pozitat e njëjta, Besa në pozitën e nëntë me katër pikë, ndërsa Llapi ndodhet në pozitën e fundit, të dhjetën me dy pikë të tubuara. /Insajderi.com