Besa ndal në barazim Dritën, gjilanasit humbin kreun e tabelës

Besa ndal në barazim Dritën, gjilanasit humbin kreun e tabelës

Befasia e javës së 31-të në Superligë ka ardhur nga Peja, teksa Besa ka ndalur në një barazim 1:1 kampionin aktual Dritën, njofton Insajderi.

Ndeshjen më mirë e filluan nikoqirët, të cilët kaluan në epërsi që në minutën e 19-të të sfidës. Në pjesën e mbetur, mysafirët nga Gjilani diktuan tempon e ndeshjes, duke rrezikuar disa herë portën nikoqire, por pa arritur të barazonin rezultatin në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, mysafirët edhe më shumë i intensifikuan sulmet e tyre, pasi nuk dëshironin të lëshonin pikë te ekipi i cili ndodhet në fundin e tabelës, të cilët praktikisht ndodhen në Ligën e Parë.

Po zhvillohej minuta e 62-të e ndeshjes, kur pas një harkimi nga Blakçori në zonë, më së miri do të shkëputej Haxhimusa i cili do të barazonte shifrat në 1:1, duke realizuar me kokë.

Deri në fund, mysafirët krijuan disa raste për shënim, duke kërkuar të ktheheshin me pikë të plota nga transferta në Pejë, por deri në fund nuk ndryshoi rezultati.

Me këtë pikë të fituar, Drita zbret në vendin e tretë në ligë me 65 pikë, ndërsa Besa ndodhet në vendin e fundit me vetëm 11 sosh. /Insajderi.com