Në 11 sezonet e ligës australiane, A-League, asnjë futbollist nuk ka shënuar më shumë gola se shqiptari Besart Berisha.
Qendër sulmuesi i Melbourne Victory arriti të thyejë rekordin e golave që e mbante australiane Archie Thompson, kur shënoi nga penalltia në minutën e 30-të të ndeshjej ndaj Newcastle Jets të hënën.
Që prej mbërritjes në Australi në vitin 2011, Berisha ka dominuar ligën australiane të futbollit, A-League. Ai shënoi në ndeshjen e tij të dytë në Australi, derisa pas katër ndeshjeve arriti të thyejë një rekord – shënoi hattrickun më të shpejtë ndonjëherë në A-League.
Me golat e tij ai ndihmoi dy skuadrat e tij australiane – Brisbane Roar dhe Melbourne Victory – për fitimin e tri kampionateve.
Ne mund ta përshkruajmë në shumë mënyra Besart Berishën si futbollist, mirëpo është dëshira e tij e dukshme për të fituar ajo që e përcakton karakterin e tij. Uria e tij për topin, për golat dhe për sukseset është e pangopur. Thjesht, fitimi i ndeshjeve të futbollit do të thonë shumë për të.
Për përkrahësit e rivalëve të Berishës, ambicia e tij e madhe dhe egoizmi për fitoren mund të duket jorespektuese. Por jo gjithçka duket ashtu. Familja e Berishës u largua nga Kosova për në Gjermani, kur ai ishte fëmijë. Jeta e tyre në Berlin ishte e vështirë, por futbolli i ofroi një jetë të re.
“Futbolli është jeta ime dhe unë e marrë atë me shumë seriozitet,” kishte deklaruar ai për gazetën The Guardian në vitin 2013. “Edhe në moshën 14-vjeçare isha kaq serioz. Unë nuk dua të humbasë asnjë lojë”.
Kjo deklaratë shpërfaqë shpjegimin se përse ai në moshën 17-vjeçare “luftoi me dhëmbë” për të siguruar një kontratë profesionale në futbollin gjerman, nga frika se dështimi mund ta kthente në Kosovë. Nëse Berisha duket se luan futboll sikur jeta e tij varet nga loja, kjo duket sepse në të vërtetë ashtu është.
“Ju duhet të më kuptoni mua. Kjo nuk është vetëm një lojë për mua. Unë nuk kam mësuar asgjë tjetër. Unë nuk e kam mbaruar shkollën. Kjo është jeta ime. Unë nuk kam ndonjë gjë tjetër. Unë gjithmonë kam dashur të bëhem profesionist. Unë jam shumë i pasionuar për atë që bëj. Unë nuk shkojë në një lojë duke thënë ‘kjo është vetëm një lojë’. Jo, sepse kjo lojë është gjithçka për mua, sepse ajo më ndihmon mua dhe familjen time për të bërë një jetë më të mirë”, ka thënë Berisha, njofton Insajderi.
Se Berisha dhe familja e tij kanë një jetë më të mirë në Australi është produkt i një aksidenti të lumtur.
Asistenti i Brisbane Roar, Rado Vidosiç ishte në Gjermani gjatë para-përgatitjeve të sezonit për vitin 2011 të skuadrës Arminia Bielefeld, ku luante djali i tij Dario Vidosiç. Berisha, shok skuadre me djalin e trajnerit Vidosiç, i kishte rënë në sy asistentit të Roarit. Ai shpejt u bë ylli i një prej skuadrave më të famshme të Australisë, Brisbane Roar.
Teksa i afrohet statusit të veteranit, Berisha nuk tregon shenja lodhje. Asnjëherë nuk është jashtë katër golashënuesve të parë të ligës së futbollit të Australisë.
Ai, një shqiptar nga Kosova, është golashënuesi më i denjë i ligës australiane të futbollit. /Insajderi.com