Besart Berisha nuk di të ndalet në Australi, teksa ditën e sotme ka shkëlqyer me Western United, duke shënuar dopietë golash dhe duke dhënë një asist, ndaj Melbourne Victory, njofton Insajderi.
Ajo e sotmja ishte një ndeshje me të vërtetë e çmendur, teksa u fitua 4-3 nga Western United, me një gol në minutën e 95-të.
Melbourne kaloi e para në avantazh falë një goli të McManaman në minutën e 21-të, por Western përmbysi gjithçka, falë golit të Sanchez në minutën e 42-të, i cili përfitoi nga një asist i Berishës, me këtë të fundit që në pjesën e dytë realizoi dopietë golash në minutat 53-të dhe 58-të.
Vendasit nuk u dorëzuan dhe barazuan, duke shënuar dy herë, në minutën e 62-të dhe 82-të. Kur të gjithë mendonin se ndeshja do të mbyllej në barazim, ishte Sanchez, i cili shënon në minutën e 95-të, për t’i dhënë fitoren skuadrës së tij.
Kujtojmë se kjo është dopieta e dytë radhazi për Berishën, i cili në tre ndeshjet e fundit ka shënuar pesë gola. /Insajderi.com