Beteja mes Kosovës dhe Serbisë zhvendoset në sport

Beteja mes Kosovës dhe Serbisë zhvendoset në sport

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë në rrafshin politik nuk janë të vetmet mes të dyja vendeve. Të dy shtetet po përplasen me njëra-tjetrën edhe në sport, pasi Serbia po bëhet pengesë e garave ndërkombëtare ku marrin pjesë sportistët me flamurin e Kosovës.

Disa ditë pasi Serbia anuloi një ndeshje hendbolli për femra mes Kosovës U-21 dhe Serbisë U-20, e cila ishte paraparë të zhvillohej në territorin e Serbisë, edhe një përfaqësuese tjetër e Kosovës po has në probleme me serbët.

Prej 9 deri më 13 maj, në Novi Sad do të mbahet Kampionati Evropian i karatesë, në të cilin do të marrë pjesë edhe Kosova. Mirëpo, qysh tash mediet serbe kanë nisur spekulimet, por edhe presionin se çfarë do të ndodhë në atë rast.

Kryetari i Federatës së Karatesë në Serbi, Sllavoljub Piper nuk është i sigurt nëse Kosova do të marrë pjesë në këtë turne ndërkombëtar.

Në një intervistë për Tanjug, ai ka thënë se një muaj zgjat periudha e aplikimet për kampionatin kontinental dhe deri më tani nuk dihet se nga cilat vende do të vijnë karateistët në Serbi shkaku i disa arsyeve, njëra prej të cilave është financat.

“Nuk dihet nëse karateistët e Kosovës do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian në Novi Sad. Ka shumë spekulime, por nuk ka asnjë vendim rreth ardhjes së kosovarëve. Regjistrimi zgjat një muaj dhe mund të ndodhin shumë gjëra”, tha Piper për Tanjug.

Ai shtoi se nuk ka asnjë rekomandim prej Qeverisë së Serbisë dhe Ministrisë së Rinisë dhe Sportit në lidhje me paraqitjen e mundshme të sportistëve të Kosovës pas javës së kaluar kur qeveria serbe nuk lejoi mbajtjen e turneut të hendbollit për junior rreth kualifikimit për Kupën e Botës.

Edhe kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Ismet Krasniqi, thotë se situata, së paku tash për tash, është mjaft e paqartë.

“Nuk e di si do të rrjedhin gjërat, por tash për tash nuk kemi lajme të mira”, ka thënë Krasniqi për Insporti.com.

Ai ka treguar se dje ka ardhur një kërkesë nga Federata e Karatesë e Serbisë, por që është absolutisht e papranueshme për FKK-në.

“Ata dje kanë kërkuar që ne të marrim pjesë, por pa simbole shtetërore. Diçka e tillë nuk vjen në konsiderim, pasi ne jemi të pranuar ndërkombëtarisht dhe jemi plotësisht të barabartë me federatat e vendeve tjera. I vetmi kompromis që do të mund të bënim në këtë rast do të ishte mundësia që të gjitha shtetet pjesëmarrëse të paraqiten pa simbole”, ka theksuar Krasniqi.

Numri një i Federatës së Karatesë së Kosovës ka shtuar se shumë kohë më herët i ka njoftuar Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe Federatën Ndërkombëtare të Karatesë për mundësinë që të shfaqet ky problem.

“Para 11 muajve u kemi shkruar Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe Federatën Ndërkombëtare të Karatesë dhe i kemi paralajmëruar se mund të dalin probleme të kësaj natyre. Nuk kemi marrë përgjigje. U kemi shkruar edhe tash dhe jemi në pritje”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka bërë të ditur se pa marrë parasysh si do të rrjedhin gjërat, Kosova do të marrë pjesë në këtë garë. “Bëhet fjalë për Kampionatin Evropian, një garë shumë e rëndësishme.

Ne do të shkojmë atje të kompletuar, me staf, garues, trajnerë, gjyqtarë, ndërsa u mbetet atyre si organizatorë dhe Federatës Ndërkombëtare të Karatesë të gjejnë zgjidhjen. Ne jemi shumë në rregull dhe shkojmë si në çdo garë tjetër”, ka thënë Krasniqi në fund.

Brenda një muaji do të dihet nëse karateistët e Kosovës do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian në Novi Sad. /Insajderi.com