Betohet qeveria në Zelanden e Re me Jacinda Ardern kryeministre

Betohet qeveria në Zelanden e Re me Jacinda Ardern kryeministre

Qeveria e re e kryeministres Jacinda Ardern u betua sot në Zelandën e Re, menjëherë pas së cilës pasoi mbledhja e parë e Kabinetit në mandatin e saj të dytë, transmeton Insajderi.

Guvernatorja e Përgjithshme e Zelandës së Re, Patsy Reddy drejtoi betimin e zyrës së kabinetit 20 anëtarësh të Ardern, Partia Laburiste e së cilës regjistroi fitore historike muajin e kaluar me 64 vende, hera e parë që nga vitet 1990 kur një parti e vetme arrin të formojë qeverinë vet.

“Ne do të jemi qeveri për të gjithë zelandezët”, tha Ardern në një konferencë për media të drejtpërdrejt pas mbledhjes së saj të parë të Kabinetit.

“Sot i kujtova Kabinetit se nderi i shërbimit vjen me një përgjegjësi të madhe. Ne nuk marrim asgjë si të mirëqenë në udhëheqjen e ekipit prej 5 milionësh gjatë tre viteve të ardhshme”, shtoi ajo.

Në fillim të kësaj jave, kur ajo prezantoi kabinetin e saj, Ardern e quajti atë “tepër të larmishme”. Kabineti ka tetë gra ministra, përfshirë Nanaia Mahuta, gruaja e parë indigjene si ministre e Jashtme e Zelandës së Re, raporton Anadolu Agency (AA).

“Askush në Zelandën e Re nuk dëshiron të shohë një treg banimi ku pronësia e shtëpive përcaktohet nga gjenerata e mëparshme që ishte mjaft e pasur për të mbështetur gjeneratën tjetër dhe megjithatë ky është realiteti. Po shikoj mënyra për ta kapërcyer këtë”, tha Ardern.

“Ka sfida të rëndësishme për ne që duhet t’i kapërcejmë së bashku, por unë kam besim se kemi ekipin që do ta bëjë këtë dhe është shumë mirë të jesh zyrtarisht në gjendje të luftojmë me të”, shtoi Ardern.

Në parlamentin me 120 anëtarë, një partie i nevojiten 60 vende për të formuar qeverinë e vetme.

Ardern njoftoi gjithashtu se Parlamenti i Zelandës së Re do të hapet zyrtarisht më 25 nëntor.

Javën e kaluar, Partia Laburiste nënshkroi një marrëveshje të re me Partinë e Gjelbër të Zelandës së Re për “të punuar së bashku për të bërë përparim në fusha të rëndësishme si ndryshimet klimatike, mjedisi dhe çështjet e mirëqenies së fëmijëve dhe komunitetit gjatë tre viteve të ardhshme”.

Partitë ishin në një koalicion në qeverinë e fundit.

Ndërkohë, rezultati përfundimtar i referendumit për legalizimin e kanabisit në Zelandën e Re doli negativ.

Rezultatet zyrtare të shpallura për referendumin e kanabisit janë 50.7% kundër dhe 48.4% pro, sipas Radios Zelanda e Re. /Insajderi.com