Biden: Dezinformimi në rrjetet sociale, “po vret njerëzit”

Biden: Dezinformimi në rrjetet sociale, “po vret njerëzit”

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka paralajmëruar se përhapja e dezinformatave për COVID-19 në rrjetet sociale po “vret njerëzit”, transmeton Insajderi.

Ai i ka bërë këto komente pasi Shtëpia e Bardhë, ka vazhduar të kritikojë këtë kompani, që po lejon postimin e dezinformatave rreth vaksinave për Coronavirus.

“Janë duke vrarë njerëzit. Shikoni, pandemia e vetme që kemi është në mesin e të pavaksinuarve”, u ka thënë Biden gazetarëve kur është pyetur rreth dezinformimit dhe cila është përgjigjja e tij ndaj rrjeteve sociale, siç është Facebook.

Zyrtarët shëndetësorë në SHBA kanë paralajmëruar që rritja aktuale e numrit të vdekjeve dhe infektimeve të COVID-19 po godet ekskluzivisht komunitetet e pavaksinuara.

Në mars, një raport tha se aktivistët anti-vaksinë në Facebook, YouTube, Instagram dhe Tëitter kishin arritur “më shumë se 59 milionë ndjekës, duke i bërë këto platformat më të mëdha dhe më të rëndësishme të rrjeteve sociale për anti-vaksistat”, raporton BBC.

Po atë muaj, Mark Zuckerberg, Sundar Pichai dhe Jack Dorsey – drejtorët ekzekutiv të Facebook, Google dhe Twitter përkatësisht – u morën në pyetje në Kongres për dezinformim.

Dorsey u tha senatorëve se Twitter ishte i përkushtuar në moderimin e postimeve. Pichai tha se YouTube punoi për të hequr përmbajtjen mashtruese dhe theksoi rolin e tij në transmetimin e informacionit të vaksinës./Insajderi.com