Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, njoftoi se vendi i tij i jep fund mbështetjes ushtarake për Arabinë Saudite në luftën në Jemen dhe ndalon shitjet relevante të armëve, transmeton Insajderi.
Presidenti Biden mbajti një fjalim mbi qasjen diplomatike të SHBA-së në Departamentin e Shtetit, ku ai bëri vizitën e tij të parë pas marrjes së postit, raporton Anadolu Agency (AA).
“Amerika u kthye, diplomacia u kthye”, tha Biden, duke deklaruar se administrata e tij do të përdorë institucionet diplomatike më shumë në çdo fushë dhe se ata i japin rëndësi marrëdhënieve të aleancës ndërkombëtare.
Ai po ashtu theksoi se i japin përparësi situatës në Jemen, duke njoftuar se vendi i tij tashmë i dha fund mbështetjes ushtarake për Arabinë Saudite në luftën në Jemen dhe ndaloi shitjet relevante të armëve.
Jemeni është shkatërruar nga një luftë e ashpër që kur grupi rebel Houthi i mbështetur nga Irani pushtoi pjesën më të madhe të vendit në vitin 2014, duke e rrëzuar qeverinë dhe duke e dërguar atë në ekzil, para se të kthehej në qytetin limanor Aden në vitin 2016.
Kriza u përshkallëzua kur një koalicion ushtarak i kryesuar nga Arabia Saudite filloi një fushatë në mbështetje të qeverisë në vitin 2015, duke synuar të kthente territoret e pushtuara nga rebelët.
Në maj të vitit 2017, në vend u shfaq një aktor i tretë separatist, i quajtur Këshilli Kalimtar Jugor.
“Kanë mbaruar ditët kur SHBA nënshtrohej përballë veprimeve agresive të Rusisë”
Ndërkaq, duke iu referuar epokës së ish-presidentit Donald Trump, Biden tha se “kanë mbaruar ditët kur SHBA nënshtrohej përballë veprimeve agresive të Rusisë”.
Biden deklaroi se janë të vetëdijshëm për përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet e SHBA-së me sulme kibernetike dhe sfidat që kanë të bëjnë me sigurinë, duke shtuar se lideri opozitar rus Aleksey Navalnıy duhet të lirohet menjëherë dhe pa kushte.
“Pezullohet procesi i reduktimit të trupave amerikane në Gjermani”
Biden njoftoi edhe ngrirjen e procesit të tërheqjes së trupave amerikane nga Gjermania të filluar gjatë kohës së administratës së ish-presidentit Donald Trump.
Ish-presidenti amerikan Trump njoftoi në qershor 2020 se numri i ushtarëve amerikanë në Gjermani do të ulet nga 34.500 në 25.000, duke e filluar gjithashtu procesin. /Insajderi.com