SHBA-ja dhe Japonia do të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat nga Kina, tha presidenti amerikan Joe Biden në takimin me kryeministrin japonez, që ishte takimi i parë me një lider të huaj që nga ardhja në detyrë në Shtëpinë e Bardhë, transmeton Insajderi.
Në konferencën për shtyp me kryeministrin Yoshihide Suga, Biden tha se angazhimi i dy udhëheqësve për t’u takuar personalisht është tregues i rëndësisë që Japonia dhe SHBA-ja kanë në marrëdhëniet midis tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Biden tha se ata patën “një diskutim shumë produktiv”, duke shtuar se ai dhe kryeministri japonez theksuan mbështetjen për aleancën amerikano-japoneze dhe sigurinë e tyre të përbashkët.
“Ne u zotuam të punojmë së bashku për të trajtuar sfidat nga Kina dhe për çështje si Deti i Kinës Lindore, Deti i Kinës Jugore, si dhe Koreja e Veriut, për të siguruar një të ardhme të një Indo-Paqësori të lirë dhe të hapur”, tha Biden.
Ndërkaq, kryeministri japonez tha se aleanca i ka shërbyer rolit të saj si themeli i paqes dhe stabilitetit për rajonin Indo-Paqësor dhe botën.
“Ne gjithashtu patëm bisedime serioze mbi ndikimin e Kinës mbi paqen dhe prosperitetin e Indo-Paqësorit dhe botës në përgjithësi”, tha Suga.
“Ne ramë dakord të kundërshtojmë çdo përpjekje për të ndryshuar status quo-në me forcë ose komplote të fshehta në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore dhe kërcënimin e të tjerëve në rajon. Në të njëjtën kohë, ramë dakord mbi domosdoshmërinë që secili prej nesh të angazhohet në një dialog të sinqertë me Kinën”, shtoi ai. /Insajderi.com