Biden: Vrasja e Fakrizadeh mund të komplikojë marrëdhëniet SHBA – Iran

Biden: Vrasja e Fakrizadeh mund të komplikojë marrëdhëniet  SHBA – Iran

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Joe Biden ka thënë se vrasja e shkencëtarit bërthamor iranian Mohsen Fakhrizadeh javën e kaluar ka të ngjarë të komplikojë marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Teheranit, transmeton Insajderi.

“Të gjitha këto gjëra, mendoj se do të jenë shumë të vështira”, tha Biden për CNN në një intervistë të enjten pasi një zyrtar i lartë i administratës amerikane pretendoi se Izraeli qëndron prapa vrasjes.

“Vija e fundit është se ne nuk mund ta lejojmë Iranin të bëhet me armë bërthamore”, tha Biden, duke kritikuar presidentin Donald Trump për tërheqjen e SHBA-së nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, për arritjen e së cilës Biden ndihmoi ish-presidentin Barack Obama në përpilimin e saj.

“Ai u tërhoq për të fituar diçka më tepër dhe çfarë bënë ata? Ata kanë rritur aftësinë që të kenë material bërthamor. Ata po lëvizin më pranë aftësisë për të qenë në gjendje të kenë material të mjaftueshëm për një armë bërthamore. Dhe kjo është çështje e raketave”, argumentoi Biden.

Ish-zëvendëspresidenti theksoi se SHBA ka nevojë për partnerë në marrëdhëniet e saj me Iranin, duke sugjeruar që administrata e tij mund të punojë së bashku me Rusinë dhe Kinën për shumë çështje.

Mes raporteve të pakonfirmuara se Trump mund të mos marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të tij më 20 janar, Biden tha se Trump duhet të marrë pjesë, pjesërisht për të shmangur krijimin e një figure negative për pjesën tjetër të botës.

“Është e rëndësishme në kuptimin që ne të jemi në gjendje të demonstrojmë fundin e këtij kaosi që ai ka krijuar, që të ketë një transferim paqësor të pushtetit me palët konkurruese, duke shtrënguar duart dhe duke lëvizur përpara”, tha Biden në fund. /Insajderi.com