Kosova dhe Shqipëria nuk shquhen për shkëmbim të madh tregtar mes vete. Por, edhe ai që ishte, s’është më. E ndaloi Pandemia.
Këmbimet tregtare në mes të Kosovës e Shqipërisë kanë rënë deri në 40 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Kështu ka thënë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili fajin për këtë po ia lë situatës me pandeminë në të dyja vendet dhe efekteve negative që ka pasur ajo në ekonomi, njofton Insajderi.
Minxhozi thotë se Shqipëria ka pasur dy problematika shumë të mëdha, njëra me tërmetin, e tjetra me Covid-19 dhe natyrshëm këto kanë influencuar për uljen e këtyre shkëmbimeve, sepse fokusi ka qenë diku tjetër.
“Problemi është se edhe atë që kanë pasur për të ofruar të dy vendet tona gjatë gjithë kësaj periudhe për eksport-import, kanë qenë në masë të reduktuar. Kjo nuk lidhet me barrierat por kjo ndërlidhet me situatën që sapo folëm. Ajo që është evidente, është që në krahas me vitin e kaluar ka pasur një ulje rreth 30-40 për qind, këmbimet midis nesh”, deklaron Minxhozi, njofton Insajderi.com.