fbpx

Bizneset kosovare ballafaqohen me kushte jo të mira dhe mungesë të punëtorëve

Bizneset kosovare ballafaqohen me kushte jo të mira dhe mungesë të punëtorëve

Përfaqësuesit e bizneseve prodhuese të Kosovës, kanë paraqitur ankesat dhe kërkesat e tyre drejtuar qeverisë së re.

Këto kërkesa kanë ardhur pas një tryeze që e ka organizuar Oda Ekonomike Amerikanë në Kosovë.

Kryetari i OEAK-ut, Arian Zeka ka përmendur disa nga problemet me të cilat po përballen bizneset në Kosovë.

“Disa lidhen me fuqinë punëtore që kanë zënë vend si ankesat më të fuqishme. Janë disa çështje të kryerjes së pagesave dhe ligji për tregtinë e brendshme që ka qenë në proces i cili do jetë një prej ligjeve me prioritet për qeverinë e re”, ka thënë Zeka.

Ndërkohë, Kujtim Gjevori nga kompania prodhuese “Scampa”, tha se problemi kryesor i kompanive po fillonë nga energjia elektrike, qasja në financa dhe shkolla profesionale për të nxjerrë punëtorë të kualifikuar.

“Ka pasur zhvillime në industrinë e prodhimit në Kosovë por nuk do të thotë me u ndalë me kaq. Kemi edhe shumë problematika, si energjia elektrike se po shohim që ka me pas ngritje dhe duhet me pas shumë rëndësi me u bë një listë çmimore te energjia elektrike kur sot paguhet njëjtë si për amvisëri si për industri. Është me rëndësi të bëhet tash e jo më vonë sepse nëse ngritët çmimi do rritet edhe kostoja e prodhimi dhe mund të na bëjë jo konkurrentë”.

“Tjetra është një disiplinë financiare me një ligj më specifik ku kish me qenë e kontrolluar sepse mospagesat me kohë po shkaktojnë probleme sidomos në sektorin e prodhimit.  Tjetër është puna e qasjes në financa me u specifiku edhe në banka, ndoshta përmes bankës qendrore.  Tjetër afatgjatë është me u koordinuar sektori privat me atë publik që me prodhuar punëtorë çfarë kërkon tregu”, ka thënë Gjevori.

E sa i përket çmimeve të energjisë elektrike, Arian Zeka tha se ndryshojnë nga ato në amvisëri prej industrive.

“Bizneset paguajnë pak më shumë se që paguajnë amvisëritë”, tha Zeka.

Bajram Rushiti, nga furra “Buka”, tha se duhet punë ende për të rregulluar qasjen në financa.

“Vetëm vitin e kaluar kemi humbur para në trust, unë për vete 1600 euro. Nëse kishin mundë me formua një grup për këtë punë se sa me humbë, psh një 5 për qindësh që është e madhe”, ka thënë Rushiti.

Ai tha se duhet të fillojë subvencionimi edhe për prodhuesit.

“Te subvencioni kish qenë mirë që me filluar me subvencionuar prodhues. Subvencioni edhe në energji elektrike kish me qenë shumë e mirëseardhur”, tha ai.

Gojart Kelmendi nga kompania “Flutura”, pati disa propozime për qeverinë e re, që përfshijnë strategjinë për eksport të produkteve vendore, subvencionet, shkollat profesionale etj.

“Një propozim për qeverinë e re do ishte një strategji afatshkurtër dhe gjatë me qëllim të zhvillimit të sektorit prodhues. Kosova është e vetmja që nuk ka një strukturë të tillë. Jemi një shtet që mbi 90 për qind jemi importues dhe qëllimi i qeverisë së re është një strukturë që do zhvillonte sektorin prodhues.  Të gjithë ne prodhuesit po kemi problem me financimet e bankave komerciale. Shteti duhet të krijojë një bankë shtetërore”, tha ai.

“Qeveria e re do duhej të subvenciononte prodhuesit e rinj me makineri që ë zbutej edhe papunësia. Pikë tjetër janë shkollat profesionale. Një prej problemeve janë kuadrot e punëtorëve, nuk kemi kuadro të profesionalizuar”, ka thënë Kelmendi.

Ylber Bajraktari nga StoneCastle, tha se çdo herë e më shumë po vërehet mungesë e kuadrove profesionale punëtore.

“Kompania jonë ka ardhur në situatë ku një punëtor i joni i mbikëqyr 5 hektarë të rrushit. Një faktor është emigracioni dhe tjetra mosmbështetja e qeverisë.  Subvencione nuk u ka gëzuar kompania jonë deri vitin e kaluar përmes gjykatës. Tjetër është lirimi nga akciza. Në Kosovë jemi të detyruar ta mbushim arkën e shtetit për të dalë me pjesëmarrje në treg”, tha ai.

Ai ka kërkuar që për çdo eksport të produkteve të kompanisë, të subvencionohen prej 10-15 centë.

“Për çdo litër të verës që e eksporton të subvencionohemi prej shumë 10-15 cent. Duke i parë nga statistikat se sa është importi i verës në Kosovë është shumë, ndërsa jemi kompani të verës në Kosovë rreth 24 kompani”, tha ai.

Ndërsa, kërkoi mbështetje më të madhe.

“Ajo që kërkoj të kemi mbështetje të madhe nga të gjitha odat, të kemi përkrahje më të madhe. Asnjë udhëzim administrativ nuk ka lëvizur që nga viti 2005-2009”, ka thënë Bajraktari.