Biznesmenët i japin 12 ditë kohë qeverisë t’ua kompensojë humbjet

Biznesmenët i japin 12 ditë kohë qeverisë t’ua kompensojë humbjet

Pas miratimit të masave të reja kundër Coronavirusit në Kosovë, biznesmenët i kanë bërë thirrje qeverisë që ndihmat financiare për bizneset të ndahen akoma pa kaluar 12 ditë, transmeton Insajderi.

Biznesmeni, Burim Piraj, ka theksuar se me vendimet e marra, qeveria nuk ka parashikuar pasojat që do t’i lënë ato në ekonominë vendore.

“Duhet të ketë masa më të buta për ato komuna që janë në zonën e gjelbër, së paku në ato komuna të lejohen të punojnë restorante dhe hoteleria mos të vijë deri te lirimi i punëtorëve nga puna apo dëmtimi ekonomik i kompanive. Mendoj që ende pa kaluar 12 ata duhet t’i japin ndihmat financiare të cilat i takojnë kompanive, duhet tua kompensojnë pagat për atë kohë, fitimin dhe të gjitha ato tjerat sikur që i kanë kompensuar vendet evropiane. Mos të presin sikur herën e kaluar që të shkojnë më shumë se gjashtë muaj për të zbatuar ligjin për skanimin e ekonomisë në vendin tonë, por të reagojnë menjëherë”, ka deklaruar Piraj për EO.

Ai ka konsideruar se vendimet e fundit do të prekin më së shumti sektorin e Hotelerisë dhe atë të Gastronomisë.

Në anën tjetër, biznesmeni kosovar, Shaqir Palushi, ka thënë se kufizimin e lëvizjes për qytetarët e sheh si vendim të panevojshme, pasi sipas tij, kjo masë vështirëson operimin e shumë bizneseve.

“Konsideroj që çdo vendim i cili është në interes të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve është i pranueshëm edhe për neve si biznese por sigurisht që ne nuk do të pajtohemi me të gjitha këto vendime, sepse mendoj që disa prej tyre nuk i kontribuojnë mirëqenies së qytetarëve në veçanti mund të themi që vendim për mbyllje pas orës 22:00. Ne e dimë që virusi nuk e ndërron agresivitetin pas kësaj ore, është i njëjti brenda 24 orëve dhe për aq më tepër kur dihet lëvizja e qytetarëve pas orës 22:00 është më e vogël”, është shprehur Palushi./Insajderi.com