Blindohet “Elbasan Arena” – serbet ruhen me kallashnikov

Blindohet “Elbasan Arena” – serbet ruhen me kallashnikov

Supermasa për ndeshjen e sotme ndërmjet Skënderbeut dhe Partizanit të Beogradit që do të luhet në “Elbasan Arena”. Më shumë se 500 forca do të jenë të angazhuara në sfidën e sotme për të ruajtur qetësinë. 221 punonjës policie dhe 300 stjuartë privatë të paguar nga klubi i Skënderbeut do të jenë gati për këtë sfidë.

Policia ne Elbasan Arena

MASAT

“Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë për ndeshjen Skënderbeu-Partizani i Beogradit. Duke filluar nga ora 17:00, nuk do të lejohet parkimi i mjeteve përreth dhe para sheshit të stadiumit “Elbasan Arena”. Lëvizja e mjeteve do të bëhet nëpërmjet Unazës të qytetit.

Lidhur me ndeshjen, do të angazhohen 221 punonjës policie. Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, duhet të jenë të pajisur me biletë dhe me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete sende të forta, shishe (të çfarëdolloji), fishekzjarrë, monedha apo metale, çelësa të ndryshëm, apo banderola me mbishkrime nxitëse dhe raciste”, ka lajmëruar policia në njoftimin e djeshëm.

Ndërkaq, skuadra serbe e Partizanit është shoqëruar dje gjatë të gjithë ditës së qëndrimit në Tiranë me forca të shumta policie, ndër to edhe “Renea”. Këta të fundit, të pajisur me armatim të rëndë në ruajtje të serbëve.(Panoroama-sport)