Boeing 737 Max 8 dhe certifikimi i avionëve në SHBA

Senati amerikan thirri të mërkurën një seancë dëgjimore në vazhdën e rrëzimit të dy avionëve Boeing 737 MAX 8 për shkak të problemeve të dyshuara në sistemin elektronik.

Boeing 737 Max 8 dhe certifikimi i avionëve në SHBA

Në seancë, rregullatorët e qeverisë për aviacionin morën në mbrojtje praktikën e deritanishme, në bazë të së cilës janë vetë kompanitë që certifikojnë sigurinë e avionëve të prodhuar prej tyre.

Kreu i Federatës Amerikane të Aviacionit (FAA), Daniel Elwell, u tha senatorëve se punonjësit që certifikojnë sigurinë e avionëve të prodhuar prej tyre janë përzgjedhur posaçërisht nga Federata Amerikane e Aviacionit dhe mbikëqyren prej saj.

“Fakti që Federata dhe komuniteti i aviacionit identifikojnë së bashku rreziqet e sistemit dhe zbatojnë zgjidhjet e sigurisë, kjo kërkon bashkëpunim, komunikim dhe objektiva të përbashkëta. Dekada të tëra përvoje kanë provuar se kjo mënyrë shton njohuritë që përndryshe ne nuk do t’i kishim. Certifikimi i avionëve gjithnjë është mbështetur mbi shkëmbimin e informacionit dhe të dhënave teknike me industrinë”, thotë Daniel Elwell, Administrator në detyrë i Federatës së Aviacionit.

Por një senator demokrat tha se duke qenë se vetë kompanitë që prodhojnë aeroplanë i certifikojnë ata si të sigurt, kjo mund të dëmtojë besimin e publikut.

“Fakti është se Federata e Aviacionit vendosi të bëjë certifikimin për të kursyer para, por kjo mënyrë nuk është as e lirë dhe as e sigurt; është si të vësh dhelprën të ruajë kotecin e pulave. Kjo mund të thuhet edhe për avionin 737 MAX 8. Në nxitimin për të prodhuar avionin, për shkak të konkurrencës me Airbus-in, disa elementë kritikë të sigurisë u nënvlerësuan,” tha senatori demokrat, Richard Blumenthal.

Senatori republikan që mbikëqyrte seancën tha se ka pasur shqetësime për marrëdhëniet e ngushta, siç i quajti ai, midis Federatës së Aviacionit dhe firmës Boeing, prodhuesit me qendër në Çikago të avionit 737 MAX.

“Jo vetëm që rrëzimet e fundit të avionëve kanë tronditur besimin e publikut, por pyetjet që janë ngritur më pas lidhur me mbikëqyrjen e Federatës së Aviacionit mbi prodhuesit e avionëve, procesin e certifikimit dhe marrëdhënien e ngushtë midis industrisë dhe rregullatorit, kërcënojnë të dëmtojnë besimin tek i tërë sistemi”, tha senatori republikan, Ted Cruz.

Kompania Boeing tha të mërkurën se nuk ka nevojë për rregulla të reja federale mbi mënyrën se si i ndërton dhe i teston avionët. Ajo tha se është pranë përmirësimit të sistemit elektronik që nuk lejon bllokimin e avionit 737 MAX në ajër. Ky sistem dyshohet të ketë qenë shkaku i dy rrëzimeve fatale të këtij lloj avioni.

Megjithatë, ndoshta do të duhet një farë kohe që aeroplanët Boeing 737 MAX 8 të ngrihen përsëri në ajër.