Këshilltari amerikan për siguri kombëtare John Bolton i ka paralajmëruar autoritetet iraniane se “i pret ferri” nëse i bëjnë keq Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qytetarëve të tyre dhe aleatëve, transmetojnë agjencitë amerikane.

Paralajmërimi ka pasuar disa orë pasi presidenti i SHBA Donald Trump e akuzoi Iranin se po mbjellë kaos, vdekje dhe shkatërrim nëpër Lindje të Afërt, ndërsa kryetari iranian Hassan Rouhani është përgjigjur duke e kritikuar administratën e Trumpit për shkak të armiqësisë së shprehur, transmeton Insajderi.com.
Bolton, në konferencën për Iranin në Nju Jork, ka thënë se “regjimi vrasës i klerikëve të Teheranit do të ballafaqohet me pasoja të rënda nëse vazhdon me gënjeshtra dhe mashtrime”.
“Nëse punoni kundër nesh, aleatëve tanë apo partnerëve tanë, nëse i bëni keq qytetarëve tanë, vërtet ju pret ferri. Mesazhi im është i qartë – po ju vëzhgojmë dhe do t’ju ndjekim”, ka paralajmëruar ai.
Bolton ka konstatuar se “Irani nuk i respekton fqinjët e tij, e as kufijtë, dhe as nuk janë shtet juridik sovran, por se, në vend të kësaj, liderët iranian po i plaçkitin resurset e vendit për tu pasuruar dhe përhapur kaos nëpër Lindje të Afërt por edhe më gjerë”.
Të mërkurën Trump do ta kryesojë seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të dedikuar Iranit dhe mospërhapjes së armatimit nuklear./Insajderi.com.