FIBA ia beson Kosovës edhe një organizim të rëndësishëm, pasi në vitin 2018 kishte organizuar me sukses Kampionatin Evropian, Divizioni C për meshkuj U18 dhe në vitin 2019 dhe Kampionatin Evropian, Divizioni B për femra U20.
Bordi i FIBA Evropës, kësaj radhe i ka dhënë dritën e gjelbër për mbajtjen e Kampionatit Evropian, Divizioni C, për meshkuj U16 më 2021 në Prishtinë.
“Ne jemi shumë të kënaqur që na është dhënë besimi për të organizuar Evropianin vitin e ardhshëm në Prishtinë. Ky Evropian ishte paraparë të zhvillohej këtë vit, megjithatë, për shkak të pandemisë është shtyrë për vitin e ardhshëm. FBK-ja është shumë e kënaqur me besimin që na ka dhënë FIBA, të organizojmë për herë të tretë një Evropian në Prishtinë, pasi me sukses kemi organizuar Kampionatin Evropian, Divizioni C për meshkuj U18 dhe në vitin 2019 dhe Kampionatin Evropian, Divizioni B për femra U20″, tha sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku
Kështu, Kampionati Evropian për Divizionin C për meshkuj U16 do të mbahet në Prishtinë nga 10 deri më 18 korrik më 2021.
“Shpresojmë se deri vitin e ardhshëm të stabilizohet gjendja me Covid-19 dhe t’i rikthehemi normalitetit. Ne do të bëjmë përgatitjet e duhura dhe besojmë se do të organizojmë siç është më së miri këtë Kampionat në Prishtinë”, shtoi Dushku./Insajderi.com.