Botuesi i librave të cilat e përqeshin elitën sunduese në Kinë është dënuar me 10 vjet burgim

Autoritetet kineze e kanë dënuar botuesin suedez me prejardhje kineze Gui Minhai me 10 vjet burgim për shkak të përhapjes së “informatave konfidenciale”.

Botuesi i librave të cilat e përqeshin elitën sunduese në Kinë është dënuar me 10 vjet burgim

Gui (55) ka publikuar në Hong Kong librat të cilat e përqeshin elitën e regjimit komunist. Ai ishte në paraburgim në Kinë prej vitit 2015 deri 2017, dhe pastaj përsëri “u zhduk” në shkurt të vitit 2018.

Gjykata në Ningbou, në lindje të Kinës e ka shqiptuar dënimin të hënën, duke e shpallur Gui fajtor për “përhapje ilegale të informacioneve konfidenciale në botën e jashtme”. Detajet në lidhje me natyrën e këtyre informatave nuk janë cekur. Gui “ka pranuar fajin, ka pranuar aktgjykimin dhe nuk do të ushtrojë ankesë”, pretendohet në kumtesën e gjykatës.

Gjykata ka pretenduar se botuesi në vitin 2018 përsëri ka kërkuar shtetësinë kineze. Kina nuk pranon shtetësi të dyfishtë dhe nuk është e njohur se a ka hequr dorë Gui nga pasaporta suedeze.

Gui Minhai ka punuar për shtëpinë botuese “Mighty Current” të Hong Kongut e cila ka publikuar librat senzacionaliste për jetën private të liderëve kinezë, të ndaluar në Kinën kontinentale./Insajderi.com.