Banka Qendrore e Kosovës, mbete e përkushtuar të forcoj kapacitet dhe të zbatoj rekomandimet e dala nga raporti i FMN-së, njofton Insajderi.
Nga BQK thonë se nivelet e larta të likuiditetit dhe të kapitalit, thuhet se kontribuuan në ruajtjen stabiliteti financiar, por edhe reformat e zbatuar në vitet e mëparshme ndihmuan po ashtu në përballje me pandeminë. Asetet e sektorin bankar u rriten në 12 për qind në 2020-ën.
Institucioni kryesor i bankave në Kosovë, BQK, tha se Fondi Monetar Ndërkombëtar, e ka njohur angazhimin dhe qeverisjen efektive në ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar.
Sipas BQK-së, FMN vlerësoi se sektori bankar ka arritur të përballojë mirë situatën e krijuar, si rezultat i masave të ndërmarra për përballimin e pandemisë.
Likuiditeti dhe kapitali në nivele të larta para pandemisë kontribuoi në ruajtjen e stabilitetit.
“Bankat e kanë përballuar mirë recesionin deri më tani, duke u mbështetur në nivelet e larta të likuiditetit dhe të kapitalit të para pandemisë Covid-19, të cilat kanë kontribuuar në ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar”, thuhet në komunikatë.
Tutje BQK thotë se FMN njohu edhe masat e ndërmarra nga BQK-ja për ristrukturimin e kredive, ndërsa në dhjetor të vitit 2020, të gjitha bankave iu kërkua të zbatojnë kërkesat rregullatore që kanë qenë në fuqi para pandemisë Covid-19.
Më tej bëhet e ditur nga BQK se të dhënat paraprake sinjalizojnë një portofol të shëndetshëm të kredive, me mundësi për një rritje të lehtë të kredive joperformuese në muajt në vijim.
Në përmbylljen e vitit që shkoi asetet e sektorit bankar u rritën për 12 për qind.
“Në fund të vitit 2020 asetet e sektorit bankar shënuan rritje prej më shumë se 12 për qind. Niveli i kredive joperformuese ishte 2.63 për qind, raporti i mbulueshmërisë së kredive joperformuese me provizione ishte 143.27 për qind, përderisa raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 16.7 për qind.”, thuhet në raport.
Gjithashtu edhe si zbutje e presioneve nga pandemia, ndihmuan edhe reformat e zbatuara në vitet e kaluara me fokus forcimin e sigurisë financiare dhe kornizës mbikëqyrëse bankare.
Në BQK thonë se mbeten të përkushtuar në zbatimin e rekomandimeve të dala nga raporti.
“BQK-ja mbetet e përkushtuar të vazhdojë forcimin e kapaciteteve dhe sistemeve të saj, përfshirë edhe zbatimin e rekomandimeve që kanë dalë nga raporti i Rishikimit të Stabilitetit të Sistemit Financiar”, thuhet në komunikatën për media të BQK-së. /Insajderi.com