Kosova, humbje të thella pësoi nga dy skuadra ballkanike: Turqia dhe Kroacia. Turqia e mposhti 4-1 Kosovën, ndërsa Kroacia 6 me 0, duke e bërë të qartë se epiteti “Brazil i Ballkanit” për Kosovën, është vetëm një iluzion.
“Kosova do të bëhet Brazili i Ballkanit”, pati thënë në maj të vitit të kaluar analisti i futbollit, Arsim Prepolli, pas pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA. Ish-futbollisti i Zelezniçarit në Bosnjë dhe Hercegovinë deklaronte kështu, duke u bazuar në cilësinë që sipas tij kanë futbollistët kosovarë.
Prepolli deklaronte se me futbollistët që kanë origjinë nga Kosova e që luajnë në vende të huaja në Evropë, Kosova do të bëhej “Brazili i Ballkanit”.
Por, vetëm një vit më vonë pas pranimit të Kosovës në FIFA dhe garimit në nivel klubesh dhe përfaqësuesesh me skuadra evropiane, ky konstatim nuk qëndron. Krahasimi i Kosovës me kombëtaren e një shteti që ka fituar pesë herë titullin Kampion të Botës, nuk është i duhuri.
Së paku kështu thotë trajneri i njohur i futbollit, Arbnor Morina. Ish-futbollisti i Prishtinës dhe trajneri i disa klubeve të futbollit në Kosovë ka deklaruar për Insajderin se kjo thënie nuk i përshtatet realitetit momental.
“Për mua nuk qëndron ajo thënie ‘Kosova është Brazili i Ballkanit v.j], sepse kemi shtete që janë pak të talentuara në kategori të reja dhe prapë arrijnë suksese e që dëshmon se puna e sjell rezultatin e talenti është vetëm ndihmesë”, shprehet Morina në një bisedë për Gazetën Online Insajderi.
Që prej pranimit në FIFA, në mars të vitit të kaluar, përfaqësuesja e Kosovës në futboll nuk ka arritur të fitojë asnjë ndeshje kualifikuese, derisa klubet e Superligës së Kosovës kanë dështuar në rangun e parë kualifikues për garat evropiane: Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.
E trajneri i Gjilanit, Arbnor Morina, mendon se dështimi i futbollit kosovar në Evropë gjatë edicionit që lamë pas, lidhet me mungesën e profesionalizmit në thelb.
“Mendoj qe koha e kaluar jashtë objekteve sportive ka lënë gjurmë të mëdha negative. Gjithashtu për paraqitje të mirë nevojiten edhe shumë gjëra të tjera të domosdoshme për stërvitje si që është sistemi i ushqimit te cilin duhet ta udhëheqin nutricionistët, sistemi mjekësor i cili përfshin analizat në detaje të lojtarëve në faza të ndryshme të ciklusit stërvitor dhe medikamentet e ndryshme si ndihmëse per sportistët të cilat janë të lejuara nga KOK”, ka thënë Morina.
E humbjet turpëruese të KF Trepçës ’89 dhe FC Prishtinës me rezultate të thella në garat evropiane, arsyetohen me mungesën e përvojës dhe mendjemadhësinë e shfaqur nga klubet kosovare nga analistët.
Trepça ’89 u eliminua nga kampionia e Ishujve Faroe, Vikingur Gota, me rezultat të përgjithshëm 6 me 2 nga dy ndeshje të zhvilluara. Ndërkaq, nënkampionia e Kosovës, FC Prishtina, humbi me rezultat të përgjithshëm 6 me 0 nga Norrkoping e Suedisë.
“Sipas meje disavantazhi kryesor ka qenë jo eksperienca dhe një lloj prepotence e cila ka kushtuar shtrenjtë në rezultat final”, thotë Morina.
Njëjtë mendon edhe analisti tjetër, Arsim Prepolli. Ish-futbollisti i njohur kosovar thotë se mungon profesionalizmi, që sipas tij është shkaktari kryesor për dështimet e klubeve kosovare në Evropë.
“Po me paraqitje sigurisht qe nuk jemi te kënaqur, sidomos me Trepçën ‘89 duke marrë parasysh kundërshtarin e tyre, po prapë kjo ndikoj te mos përvoja dhe mendoj se taktika e trajnerit nuk ka qenë në nivel kështu që na duhet shumë pune të punojmë e mos te merremi me llafe të çajtoreve se pa punë dhe përkushtim asgjë nuk mund të bëjmë”, ka deklaruar Prepolli në një prononcim për Insajderin.
Prepolli thotë se futbollit të Kosovës i duhen trajnerë nga jashtë, derisa nuk e ka komentuar deklaratën e tij të dhënë një vit më parë kur thoshte se “Kosova do të bëhej Brazili i Ballkanit”.
“Prishtina ka pasur ndoshta një kundërshtar më të fortë por prapë rezultati 6-0 në dy ndeshje është shumë shpresojmë që në vitet qe vijnë të punojmë sa më shumë dhe të sjellim trajnerë nga jashtë Kosovës dhe lojtarë ndryshe. Nuk shoh ndonjë përmirësim të madh”, deklaroi Prepolli.
Në pjesëmarrjen e parë në kualifikuese për një eveniment madhor, përfaqësuesja e Kosovës ka dështuar të arrijë një fitore. Nga gjashtë ndeshje të zhvilluara për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Rusia 2018”, përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar 18 gola dhe ka shënuar vetëm tre.
Kosova, humbje të thella pësoi nga dy skuadra ballkanike: Turqia dhe Kroacia. Turqia e mposhti 4-1 Kosovën, ndërsa Kroacia 6 me 0, duke e bërë të qartë se epiteti “Brazil i Ballkanit” për Kosovën, është vetëm një iluzion. /Insajderi.com